Ullinjtë janë fruti i mrekullive, nga kokrrat e vogla të tyre mund të përgatitën disa nga nën produktet më të rëndësishme të jetës së përditshme.
Shumë të pasur në vlera dhe në shije, veçanërisht për vende si Shqipëria ku pemët e ullinjve janë shekullorë, as frutat e tyre nuk mund të mungojnë në asnjë shtëpi.
Duket sikur recetat apo tryeza nuk ka shijen e duhur nëse mungojnë ullinjtë apo vaji i ullirit.
Një burim i vërtetë vlerash duke filluar nga fibrat apo vitaminat të cilat janë të domosdoshme për organizmin.
Kështu për më shumë shije dhe shëndet në shtëpitë tuaja po ju tregojmë një mënyrë se si t’i mbani së më gjatë ullinjtë e shijshëm në kuzhinën tuaj.
Ndiqni recetën e mëposhtëme nga AgroWeb.org dhe nisni menjëherë nga puna.
Përbërësit
- 1 kg ullinj
- 2.8 l ujë
- 100 gr kripë e trashë
- 60 ml uthull molle
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e shëllirës së ullinjve si fillim zgjidhni dhe blini ullinj cilësorë.
Pastrojini ata nga gjethet apo degët e më pas lajini me ujë të bollshëm.
Më pas me anë të një thike çajini në 2-3 vende pa i dëmtuar dhe vendosini në një enë të madhe plastike.
Bëni kujdes që ena të mos jetë alumoni apo bakri, por qelë ose plastikë.
Pasi ta keni mbushur plot me ullinj shtoni ujë deri në fund të enës.
Sipër vendosini një pjatë që është pak më e vogël si sipërfaqja e enës dhe sipër pjatës vendosni një peshë, mund të përdorni një kavanoz të vogël të mbushur me ujë.
Qëllimi është që pjata t’i mbajë ullinjtë të ngjeshur brenda enës.
Lëreni në këtë mënyrë për 3 ditë dhe më pas kullojini.
Pasi t’i keni kulluar nga uji i mëparshëm, vendosini në një enë të pastër dhe ndërkohë përgatisni shëllirën.
Në një enë përzieni tre lugë gjelle kripë dhe rreth 1 l ujë dhe shtojani ullinjve tuaj duke vënë sërish sipër pjatën bashkë me peshën.
Veproni si në fillim dhe lëreni të pushojë për 1 javë.
Kur koha të ketë kaluar, kullojini ullinjtë tuaj dhe futini në kavanozë qelqi për fazën e fundit.
Përgatisni sërish shëllirë me 1 lugë e gjysmë kripë, 500 ml ujë dhe uthull molle dhe shtojani kavanozëve me ullinj.
Mbyllini ata mirë më kapak dhe vendosini në frigorifer ose në një ambient të freskët dhe lërini në këtë mënyrë për 1-2 javë.
Shija përfundimtare do të jetë e mahnitëshme./AgroWeb.org