Speca të Pjekura Në Prush – Mënyra më Fantastike për t’i Shijuar në Shtëpi

2k 0

Një pjatë tipike e kuzhinës shqiptare që të tundon menjëherë me shijen e saj e të ngacmon oreksin, nepsin dhe dëshirën për ta konsumuar menjëherë.

Specat e kuqe dhe ato jeshile, të pjekura e të marinuara me hudhra, vaj ulliri dhe uthull janë ndër kënaqësitë fantastike që ofron tradita shqiptare.

Dikur, qindra vite më parë, ato piqeshin në prush, më tej në saç, e sot e shndërruar në një traditë të të gjitha amvisave shqiptare edhe në furrë.

Me një shije fantastike, kjo pjatë shndërrohet në shoqëruesen e shkëlqyer të supave e gjellëve të ndryshme teksa mund të shijohen edhe veçmas me pak bukë të thekur e pak djathë.

Më poshtë, AgroWeb ju sugjeron recetën e përgatitjes së specave të pjekur në prushin e zgarës si dhe një tjetër mënyrë atë të pjekjes në furrë.

Speca të Pjekura  

Përbërësit

  • Speca të kuq dhe jeshilë të mëdhenj (sipas preferencës)
  • Hudhra
  • Kripë
  • Piper
  • Vaj ulliri
  • Uthull (sipas dëshirës)
  • Majdanoz (Sipas dëshirës)

Përgatitja në Furrë

Specat pastrohen me ujë dhe më pas përmes një pecete kuzhine fshihen në mënyrë që t’u thahet uji.

Priten në dy pjesë, u hiqen farat e brendshme dhe sipas dëshirës mund të vendosen direkt në zgarën e sobës për t’u pjekur ose në tavë, të cilën keni shtruar më parë letër pjekjeje.

Futen në furrë të piqen në temperaturë maksimale derisa të jenë zbutur plotësisht.

Më pas, nxirren nga furra dhe pasi janë ftohur pak u hiqet lëkura.

Për të hequr lëkurën më shpejt mund të përdorni letrën mbështjellëse të bukës, me të cilën mund të mbështillni për disa minuta specat e më pas t’u hiqni lëkurën.

Specat i vendosim me rradhë në një pjatancë.

Në një tas të vogël AgroWeb.org ju udhuezon të hidhni vajin e ullirit, pak uthull, hudhrat e shtypura dhe pak majdanoz të grirë hollë.

I përzjejmë të gjitha bashkë dhe ua hedhim specave duke i përzjerë sa të marinohen mirë.

Përgatitja Në Prush

Mjafton të blini pak qymyr (dy grushta). Vendoseni në një tepsi të vjetër metalike dhe ndizeni njësoj sikur ndizni vatrën e zjarrit.

Lëreni të digjet derisa të formohet prushi. Më pas, vendosni zgarën e furrës së sobës dhe sipër vendosni specat duke i lënë që të piqen nga të dyja anët.

Pasi t’i keni pjekur  largojini lëkurën si më sipër dhe marinojini sipas preferencës.

Këtë metodë mund ta përdorni edhe për të pjekur perime të tjera. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.