Supa me Arra – Si të Përgatisni Recetën me Shije të Plotë

2.8k 0

Supa me arra ju jep shije mahnitëse edhe plot vlera.

Dashuria për arrat është e përjetshme, sidomos nëse rritesh duke i shijuar kokërr më kokërr. Me to mund të përgatitet një supë e butë, kremoze dhe aromatike dhe thuajse e pazakontë.

Me uljen e temperaturave, supa është ushqimi kryesor i çdo tryeze dhe supa me arra është një mënyrë interesante për të përfituar vlerat më të mira shëndetësore.

Përgatitja e supës me arra

Kjo recetë përgatitet shumë shpejt dhe pa kokëçarje. Mjaftojnë 30 minuta dhe supa është gati për shijim.

Përbërësit

  • 700 mililitra lëng pule
  • 1 filxhan çaji me arra të grira
  • 2.5 lugë gjelle me gjalpë,
  • 2 lugë gjelle miell
  • 1 qepë e vogël
  • Një majë luge çaji me arrëmyshk dhe selino, nëse dëshironi
  • 1 filxhan me pana ose krem qumështi
  • Gjysëm filxhani me qumësht me yndyrë të plotë

Përgatitja

Si fillim, përzieni lëngun e pulës, arrat, qepët, selinonë dhe arrëmyshkun. Futini në një tenxhere dhe lërini të ziejnë. Pasi lëngu të ketë marrë valë, uleni temperaturën dhe lëreni të ziejë ngadalë për gjysmë ore.

Pasi secili nga përbërësit të jetë zbutur, lëreni supën të ftohet mjaftueshëm sa për t’u futur në mikser.

Pasi të jetë ftohur, futeni në mikser dhe kujdesuni që të gjithë përbërësit të jenë shkrirë me njëri tjetrin në formën e puresë.

Kujdesuni që pureja të jetë kremoze dhe jo me kokrra të përbërësve të pagrirë.

Në tenxhere hidhni gjalpin dhe më pas miellin. Përziejeni deri sa të jenë tretur dhe më pas shtoni qumështin. Lërini të ziejnë së bashku  për një minutë duke e përzier pa ndalim.

Pasi lëngu të jetë trashur, hidheni purenë me arra në tenxhere dhe vazhdoni ta përzieni. Hapi i fundit është që të shtoni kremin dhe të lejoni një ngrohje përfundimtare të supës.

Nëse preferoni mund të shtoni edhe majdanoz të grirë hollë.

Kjo supë mund të bëhet e hollë ose e trashë sipas preferencës tuaj.

Aromën e fortë dhe dominuese të arrave mund ta mbani nën kontroll duke hedhur më pak ose më shumë arra që në fillim të përgatitjes së supës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.