Nëse dëshironi të përgatisni një recetë të veçantë e speciale për fundjavë apo në rast feste apo gëzimi familjar provoni recetën e supës me mish qengji.
Bëhet fjalë për një recetë fantastike, e thjeshtë dhe unike në shije e cila padyshim, pasi ta keni provuar njëherë do të shndërrohet në më të preferuarën.
Përbërësit
- 1 kg mish qingji me gjithë kocka,
- 10 gota me ujë
- 2 qepë të mëdha
- 3 lugë gjelle me miell
- 3 vezë
- Lëngu i dy limonëve
- 3 lugë gjelle me gjalpë,
- 1 lugë çaji me piper të kuq djegës,
- 1 lugë çaji me salcë domateje
- 1 lugë çaji me borzilok të thatë.
Përgatitja
Qërojini qepët dhe vendosini në një tenxhere të madhe.
Shtoni copat e mëdhaja të mishit të qengjit bashkë me kockat dhe ujin.
Lërini të marrin një valë dhe më pas mbylleni kapakun dhe lëreni mishin të ziejë për 10-15 minuta.
Gjatë kësaj kohe, përpiquni të hiqni shkumën që formohet në sipërfaqe me anë të një lugë druri.
Kur ta keni hequr shkumën plotësisht, uleni zjarrin, vendosni kapakun dhe lëreni mishin të zihet për një orë e gjysmë.
Kur mishi të shkëputet nga kockat, hiqeni tenxheren nga zjarri.
Mishin dhe kockat hiqini nga tenxherja dhe vendosini në një enë.
Qepët nuk përdoren më.
Vishni një palë doreza plastike dhe shpërbëjeni mishin tërësisht në copa të vogla.
Kockat nuk ju duhen më.
Përpiquni të hiqni edhe ndonjë copë dhjamë të mbetur në të sepse nuk duhet në supë.
Më pas, përdorni një kullesë për të kulluar lëngun nga ndonjë mbetje kockore.
Pas zierjes, ju mund të mblidhni 6 gota me lëng mishi të cilin duhet ta hidhni sërish në tenxhere për një valë tjetër.
Në një tenxhere tjetër, përzieni miellin me disa lugë ujë që të formoni një lëng të trashë.
Mund të shtoni një ose dy lugë nga lëngu i mishit, shtoni kripën dhe më pas të vazhdoni përzierjen në mënyrë të njëjtrajtshme duke shtuar të gjithë pjesën e mbetur të lëngut të mishit.
Shtoni copat e mishit dhe lëreni të ziejnë për 20 minuta të tjera.
Në një enë tjetër përzieni të verdhat e vezëve me lëngun e limonit.
Shtoni një lugë nga lëngu i nxehtë dhe më pas një tjetër duke e përzier fort që të mos pritet veza.
Më pas hidheni lëngun në tenxhere duke e përzier sërish për një minutë deri sa supa të vakojë.
Shkrini gjalpin në një tigan, shtoni salcën e domates, specin djegës dhe borzilokun.
Nga kjo e fundit mund të hidhni nga një lugë për çdo tas të servirur me supë./AgroWeb.org