Tradita në Tryezë – Receta Unike e Qepujkave me Mish

965 0

Një recetë e veçantë, e cila përgatitet shumë lehtë dhe thjeshtë por ka një shije të mrekullueshme që të përfshin tërësisht.

Dikur ka qenë një nga specialitetet e shijshme të nënave në fshat, të cilat e përgatisnin këtë gjellë në formën e jahnisë.

Aroma fantastike e gjellës mbushte gjithë shtëpinë duke të ftuar drejt tryezës për ta shijuar me një frymë.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtën përgatitjen e kësaj recete krejt shpejt në shtëpi.

Përgatitja e Qepujkave me Mish

Përbërësit

  • 500 gr mish viçi
  • 500 gr qepujka
  • Vaj ulliri
  • Një karrotë
  • Një patate
  • 2-3 lugë salcë domate
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Mishin e pastrojmë dhe e ndajmë në copa.

Pastrojmë qepujkat nga lëkura.

Gjithashtu pastrojmë karrotat dhe patatet dhe i presim në kubikë të vegjël.

Më pas, hedhim mishin në një tenxhere me pak vaj ulliri dhe e kaurdisim duke e skuqur lehtë nga të dyja anët.

Shtojmë qepujkat, i kaurdisim për pak, e më pas shtojmë patatet dhe karrotat. Vijojmë t’i kauridisim.

Shtojmë salcën e domateve, kripën, piperin i kaurdisim dhe u hedhim ujë derisa të gjithë përbërësit të mbulohen.

E lëmë të ziejë për 30-40 minuta derisa gjella të jetë gati.

Gjellën me Mish dhe Qepujka mund ta kombinoni me sallata të freskëta të stinës, sallatë jeshile marinuar me vaj ulliri e limon, perime të pjekura apo të ziera, salcë kosi por edhe turshi.

Vlerat

Kjo pjatë përveç shijes ka dhe shumë vlera ushqyese.

Qepujkat janë një kurë e mirë natyrale kundër radikaleve të lira.

Ato shërbejnë edhe për të detoksifikuar trupin dhe ulur shanset e prekjes nga alergjitë ndaj ushqimit.

Në botë qepujkat përdoren për të shëruar fytin e acaruar, fryrjet, infeksionet, etj.

Ndonëse të vogla, qepujkat kanë më shumë flavonoidë dhe antioksidantë se çdo anëtar tjetër i familjes së qepëve.

Këto veti, i bëjnë qepujkat si ushqimin më të mirë anti-inflamator për të zvogëluar dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira dhe për të luftuar një sërë sëmundjesh kronike./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.