Një ëmbëlsirë klasike e lehtë, shumë e dashur për shqiptarët, gosti fisnike për miqtë, fantastike për festat është Trileçe.
Është një ëmbëlsirë plot finesë, e thjeshtë në përgatitje dhe me pak përbërës por shija e saj është unike. Aq sa vështirë se mund t’i rezistosh.
Shoqërohet në një mënyrë fantastike me çajra të ndryshëm të ndryshëm por mbi të gjitha ëmbëlsira perfekte për të mbyllur me shijen më të mirë drekat apo darkat familjare.
Trileçe është ëmbëlsira perfekte për të ëmbëlsuar shpirtin dhe organizmin në çdo orë të ditës.
Me shijen e saj të kombinuar mes qumështit e krem karamelit kjo ëmbëlsirë është mahnitëse dhe shumë e dëshiruar nga të gjithë.
AgroWeb.org u përcjell më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së trileçes në shtëpi, një mënyrë e lehtë për të ëmbëlsuar familjen apo të dashurit tuaj.
Si të përgatisim Trileçen në shtëpi
Përbërësit
- 1 l qumësht
- 500 ml krem qumështi (krem pana)
- 10 kokrra vezë
- 10 lugë gjellë sheqer
- 10 lugë miell
- 350 qumësht i kondesuar (qumësht panda)
- 300 ml karamel (gjeni në supermarkete)
- Përgatitja e pandispanjës
Përgatitja e Brumit
Në një enë hedhim vetëm të bardhat e vezëve dhe të verdhat i lëmë në një enë tjetër mënjanë.
Hedhim sheqerin në enën ku kemi të bardhat e vezëve dhe i rrahim derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe e trashë.
Më pas, rrahim të verdhat e vezëve dhe i shtojmë tek masa e përgatitur me të bardhat e vezëve dhe sheqerin.
I përzjejmë derisa të njëtrajtësohen.
Më pas, shtojmë gradualisht miellin dhe njëkohësisht e trazojmë masën pa ndërprerje me qëllim që volumi i masës të jetë i njëjtë.
Ngrohim furrën në temperaturën 250 gradë.
Përmes një furçe kuzhine lyejmë me pak vaj tavën dhe hedhim në të masën e përgatitur dhe e lëmë të piqet në këtë temperaturë për 5 minuta, më pas gradën e nxehjes e ulim në nivelin 150.
E lëmë të piqet edhe për 10 minuta të tjera.
Përgatitja e Qumështit
Hedhim qumështin e kondesuar në një enë bashkë me qumështin e lëngshëm.
I përzjejmë derisa qumështi i kondesuar të tretet plotësisht.
Më pas shtojmë kremin e qumështit (pana). I përzjejmë mirë që të jenë një masë.
Heqim kekun ose pandispanjën nga furra. Pasi të jetë ftohur i presim në formë katrorë dhe hedhim përsipër masën e qumështit.
E lëmë derisa pandispanja të përthithë qumështin plotësisht.
Në fund, u hedhim sipër karamelin e lëngshëm./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje