Turli me Perime të Stinës – Shumë Vlera dhe Shije në një Pjatë

12.2k 0

Turlia me perime është një ushqim i lehtë, i shijshëm, i veçantë dhe i thjeshtë në gatim.

Turlia përmbledh në një gatim të vetëm perime nga më të ndryshmet, barishte, erëza dhe shije të shumfishta.

Ajo shijon mrekullisht shumë në verë, ashtu si edhe në stinët e tjera duke u shoqëruar me sallata të freskëta, turshi, oriz ose me kos.

Turlia tradicionale përmban perime si bamjet, kungujt, patëllxhanët, karrotat  dhe sipas preferencave edhe mish.

Mishi i viçit ose i qengjit  i japin një vlerë të shtuar turlisë, por nuk janë të domosdoshëm.

Turlia është një ushqim që i shkon për shtat edhe shijes së vegjetarianëve.

Turlia është një gatim plot me vlera shëndetësore nëse gatuhet siç duhet.

Duke qenë se njeriu duhet të konsumojë të paktën 4 racione me perime në ditë, turlia plotëson nevojat tona për perime, barishte, erëza të cilat plotësojnë nevojat e organizmit për vitamina dhe minerale.

Disa nuk e imagjinojnë turlinë pa mish, ndërsa në shumë vende të Ballkanit ajo gatuhet kryesisht me perime.

Më poshtë do të gjeni një recetë autentike shqiptare të turlisë me perime.

Përgatitja e Turlisë Verore

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona. Nëse preferoni ta përgatisni edhe me mish duke shtuar 4-5 thela mishi).

  • 1,5 kg perime të ndryshme sipas dëshirës (patëllxhanë, kungulleshka, bamje, mashurka, patate, bizele, speca, karrota etj)
  • 2 filxhanë kafeje vaj ulliri
  • 2 kokrra qepë mesatare
  • 3 kokrra domate mesatare
  • kripë e piper
  • 1 tufë majdanoz
  • 4-5 thelpinj hudhër (sipas preferencës)

Përgatitja

Turlia ka nevojë për të paktën 3 ose më tepër lloje perimesh.

AgroWeb.org ju rekomandon të përdorni patëllxhanë, speca, kungulleshka, patate, karrota, bizele e të tjera.

Lajini perimet e përzgjedhura me ujë të bollshëm.

Patëllxhanët qërojini sipas dëshirës dhe mbajini në pak ujë me kripë për t’u hequr hidhësinë.

Bamjeve duhet t’u pastroni bishtin dhe t’i lini pak në ujë me kripë ose ujë me uthull që t’u zbutet pushi.

Karrotat duhet t’i lani dhe t’i qëroni hollë sepse të gjitha vlerat e saj ndodhen në pjesën e poshtme të lëkurës.

Qërojini qepët dhe prijini hollë.

Qëroni patatet dhe prijini në kubikë.

Specat jeshilë ose të kuqë prijini në shiritë të hollë.

Kungulleshkat pastrojini dhe qërojini sipas dëshirës dhe prijini në katrorë ose formën tuaj të preferuar.

Domatet lahen dhe u hiqet cipa duke i zhytur në ujë të ngrohtë.

Më pas kalojini në rende.

Të gjitha perimet nëse dëshironi, kavërdisen më parë lehtë me vaj ulliri dhe lihen mënjanë.

Më pas në një tenxhere tjetër hidhni dy lugë vaj ulliri dhe kavërdisni qepën në një temperaturë mesatare.

Pasi qepët të jenë zbutur dhe të kenë marrë një nuancë të lehtë kafe, hidhen domatet e qëruara nga cipa dhe kripën. (Nëse do ta përgatisni me mish, atëherë mishin kaurdiseni pas qepëve e më tej vijoni procesin e gatimit).

Merrni një tenxhere me fund të gjerë, dhe vendosni një shtresë me feta domate.

Më pas shtoni perimet e kavërdisura sipas rradhës: speca, patëllxhanë, karrota, kungulleshka, bamje dhe patatet.

Shtoni lëng mishi ose ujë, mbulojeni tenxheren me kapak dhe vendoseni të ziejë në zjarr të ngadaltë.

10 minuta përpara heqjes nga zjarri shtoni thelpinjtë e grirë të hudhrës, koprën dhe majdanozin.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe piper djegës ose piper të zi.

Shënim: Turlia mund të përgatitet edhe në tavë balte.

Perimet e kavërdisura vendosen në rreshta, mbushen me salcë dhe piqen në furrë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.