A ka Vaji i Ullirit Ekstra i Virgjër më Shumë Vlera?

1.7k 0

Siç mund ta dini, vaji i ullirit është pjesë e një regjimi ushqimor të shëndetshëm, veçanërisht për zemrën.

Por me të drejtë që ju mund të pyesni nëse vaji i ullirit ekstra i virgjër është më i shëndetshëm se vaji i zakonshëm i ullirit?

Shumë studime të cilave AgroWeb.org iu referohet, vazhdojnë të konfirmojnë përfitimet shëndetësore të regjimit ushqimor mesdhetar.

Përfitimet shëndetësore të kësaj diete ndoshta vijnë nga burime të ndryshme, por përdorimi i vajit të ullirit mendohet të jetë arsyeja kryesore.

Cili prej tyre është më i mirë për shëndetin?

Pavarësisht llojit, vaji i ullirit është i lartë në acide yndyrore të pangopura.

Kur zëvendësohen me yndyrat e ngopura, yndyrnat e pangopura ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq (LDL).

Përfitimet shëndetësore të vajit të ullirit i janë atribuar vetive të tij antioksiduese dhe anti-inflamatore.

Në fakt, studime të shumta kanë treguar një lidhje midis uljes së rriskut të sëmundjeve kardiovaskulare, disa lloje kanceri dhe madje edhe demencës, tek njerëzit që konsumojnë sasi më të larta vaj ulliri sesa ata që përdorin pak ose aspak.

Megjithatë, vaji i ullirit ekstra i virgjër ofron diçka shtesë që vaji i zakonshëm i ullirit nuk e bën.

Vaji i ullirit ekstra i virgjër nxirret duke shtypur mekanikisht ullinjtë e pjekur dhe përpunohet pa nxehtësi të lartë ose tretës kimikë.

Kjo mbron kimikatet në vaj të quajtura fenole. Në të kundërt, vajrat e zakonshëm përpunohen më tepër, duke i humbur këto kimikate.

Eksperimentet e bazuara në studime laboratorike, tregojnë se përqendrimet më të larta të fenoleve mund të ofrojnë efekte shtesë antioksiduese.

Megjithatë, ende nuk ka një përfundim të saktë që të tregojë se vaji i ullirit ekstra i virgjër është më i mirë se vaji i rafinuar në parandalimin e problemeve të zemrës, kancerit ose sëmundjeve të tjera.

Në fund të fundit ju duhet të mbani në mend se vaji i ullirit nuk është përbërësi i vetëm i shëndetshëm në një regjim ushqimor.

Regjimi ushqimor mesdhetar përfshin gjithashtu shumë fruta, perime, arrorë, drithëra të plota dhe sasi të kufizuara të mishit të kuq./AgroWeb.org