Gjethet e Kungullit – Si t’i Përdorni në Gatim dhe Cilat Janë Përfitimet Shëndetësore

1.2k 0

Shumë preferojnë që çdo vjeshtë, të përgatisin sa më shumë receta në të cilat përfshihet kungulli. Por çfarë ndodh me gjethet e tyre?

Siç mund ta merrni me mend gjethet e kungujve, janë të ngrënshme, ushqyese dhe të shijshme.

Për këtë arsye, përdorimi i tyre në gatimet tuaja do t’ju ndihmojë të përfitoni sa më shumë lëndë ushqyese.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me përfitimet e tyre shëndetësore dhe mënyrat si t’i zgjidhni, ruani dhe si t’i përdorni në receta.

Përfitimet shëndetësore të gjetheve të kungullit

Si fillim, ato janë të pasura me antioksidantë si beta-karoteni, i cili gjendet edhe tek vetë kungulli, flavonoidë dhe vitaminë C.

Antioksidantët ndihmojnë trupin tuaj për të luftuar radikalet e lira, ose molekulat e dëmshme, që kur janë të pranishme në nivele të larta, mund të shkaktojnë dëmtime qelizore dhe të rrisin rrezikun e sëmundjeve kronike si kanceri, diabeti dhe hipertensioni.

Gjethet e kungullit janë gjithashtu të pasura me minerale si kaliumi, i cili mban të shëndetshëm muskujt, ruan ekuilibrin e lëngjeve në organizëm dhe sinjalizimin kimik midis neuroneve (qelizat nervore).

Ndihmon gjithashtu veshkat, sistemin tretës dhe zemrën që të funksionojnë siç duhet.

Minerale të tjera janë edhe kalciumi e magnezi, të cilët ruajnë shëndetin e kockave dhe funksionin e muskujve.

Për më tepër, gjethet e kungullit përmbajnë një sasi të vogël, por të rëndësishme të acidit folik, ose vitaminës B9.

E rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e qelizave dhe indeve gjatë gjithë jetës, dhe është veçanërisht jetike për funksionimin e duhur të trurit.

Si t’i zgjidhni gjethet e kungullit

Meqenëse gjethet e kungullit zakonisht nuk shiten në markete, do t’ju duhet t’i korrni ato nga kopshti juaj ose, nëse jeni me fat, t’i blini në tregun e fermerëve.

Nëse i zgjidhni ato nga kopshti, është mirë të zgjidhni gjethet më të reja, të cilat janë të buta dhe më të përshtatshme për gatim.

Si t’i përgatisni dhe ruani gjethet e kungullit

Para se t’i shërbeni gjethet e kungullit, lajini ato siç veproni me marulet.

Ndërsa për t’i ruajtur, mbështillini me një letër kuzhine dhe vendosini në një enë hermetike në frigorifer.

Ose nëse dëshironi ju mund t’i lini të thahen dhe më pas t’i ruani në një enë hermetike në temperaturën e dhomës deri në një vit.

Si t’i gatuani

Ju mund t’i shijoni gjethet e kungujve ashtu si do të shijonit me shumicën e perimeve të tjera me gjethe.

Gjethet e kungujve përdoren shpesh në supa apo gjellë të ndryshme, por nëse dëshironi mund edhe t’i skuqni me pak vaj ulliri, hudhër, domate dhe erëza. /AgroWeb.org