Kungulleshka të Mbushura me Gjizë – Recetë e Lehtë Verore

2.5k 0

Kungujt e mbushur me gjizë janë një pjatë e thjeshtë dhe shumë e shpejtë për t’u përgatitur.

Janë perfekte për t’u shërbyer si antipastë apo si shoqëruese e pjatave të mishit.

Të pasura me vitamina janë një ndër recetat që padyshim gjithë familjes do t’i shijojë për nga aroma e mrekullueshme që do të lëshojnë ashtu si edhe shija.

Një kombinim i thjeshtë i të butës me krokanten që mund të përgatisni në pak minuta për ta konsumuar menjëherë apo edhe për ta lënë në frigorifer.

AgroWeb.org ju sjell mënyrën e përgatitjes së kësaj recete hap pas hapi si më poshtë.

Kungulleshka të Mbushura me Gjizë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 4-5 kungulleshka mesatare
  • 250 gr gjizë
  • 2-3 lugë bukë e thekur e grirë
  • spec djegës (sipas dëshirës)
  • 1 qepë e njomë
  • kripë
  • vaj ulliri

Përgatitja

Fillimisht AgroWeb.org ju këshillon të lani kungujt dhe t’i prisni në tre katër cilindra jo shumë të mëdhenj.

Nëse po përdorni kungulleshka të vogla atëhere mjafton t’i prisni përgjysëm në formë cilindrike.

Me anë të një thike hiqni me kujdes pa i dëmtuar të gjithë mbushjen dhe farat që kanë brenda.

Pasi ta keni bërë këtë me të gjitha copat vendosini kungulleshkat në tavën që do të zgjidhni për pjekje duke i shtuar pak kripë.

Në një enë të pastër vendosni pjesën e brendshme që hoqët nga kungulli duke e ndarë në copa të vogla dhe shtoni gjizën bashkë me thërrimet e bukës.

Nëse nuk ju ndodhet buke e thekur e grirë në shtëpi, këtë hap mund ta evitoni.

Shtoni në enë pak kripë, qepën e njomë të grirë dhe specin djegës nëse dëshironi.

Sasinë e kripës shtojeni më pak se zakonisht duke qënë se edhe gjiza përban kripë.

Përziejini mirë të gjithë përbërësit dhe shtoni vajin e ullirit.

Me anë të një luge mbushni hapësirat bosh të kungulleshkave që ndodhen në tavë.

Pasi të ketë mbaruar i gjithë proçesi mund të zgjodhni t’i hidhni kungujve sipër pak domate.

Futini në furrë me 180 gradë për 30 minuta dhe mund t’i shërbeni direkt të ngrohta ose t’i konservoni në frigorifer për një vakt të dytë./AgroWeb.org