Lëng i Plotë me Fruta dhe Kos – Mëngjesi Perfekt Plot me Vitamina

910 0

Lëngjet e frutave janë perfekte sidomos tani kur stina e tyre është në pikun më të lartë.

Të përgatitura me kombinimet e duhura ato kthehen në paketa plot vlera për shëndetin, të cilat ndihmojnë me jetëgjatësinë e organizmit.

AgroWeb.org ka publikuar shumë lloje të përgatitjes së tyre, dhe sot sjell për lexuesit e tij një tjetër mënyrë shijimi.

Gjithçka që do t’ju duhet është të zgjidhni frutat tuaja të preferuara dhe kos.

Duke shtuar kos në lëngjet tuaja, ju i jepni trupit edhe probiotikët e nevojshëm për një tretje të shëndetshme.

Receta që ne ju sugjerojmë përgatitet me pjepër, pjeshkë dhe limon jeshil.

Përbërësit

  • 250ml kos
  • 400g pjepër
  • 20ml lëng limoni
  • 350g pjeshka

Përgatitja

Për të përgatitur këtë lëng të plotë duhet që fillimisht të lani me ujë të bollshëm frutat.

Vazhdoni më pas me qërimin e pjeshkëve nga lëkura dhe më pas pritini ato në kubikë të vegjël.

Po njësoj veproni edhe me pjeprin, të cilin AgroWeb.org ju sugjeron që ta përzgjidhni të verdhë për t’i dhënë pak më shumë ëmbëlsi lëngut.

Pasi ta keni prerë edhe pjeprin bashkojini të dy frutat në mikser.

Shtrydhni tani limonin jeshil dhe shtojeni lëngun e tij tek mikseri.

Nëse nuk e preferoni, mund ta zëvendësoni edhe me limonat e zakonshëm të verdhë.

Në fund tek mikseri shtoni edhe kosin dhe punojeni derisa përbërësit të krijojnë një masë të njëtrajtshme.

Lëngu do të jetë i plotë dhe kremoz, e me një shije perfekte.

Këtë recetë ju mund ta përdorni edhe për frutat e tjera, mjafton të zëvendësoni të sugjeruarat më lartë me ato që ju preferoni.

AgroWeb.org ju këshillon që të provoni edhe ato me luleshtrydhe, boronica, banana, kivi apo qershi.

Këtë lëng konsumojeni në mëngjes esëll për t’i dhene trupit të gjitha vitaminat që i duhen.

Përzierja me kosin madje bën të mundur që të qëndroni më gjatë të ngopur duke ju ndihmuar që të ruani peshën tuaj.

Receta që ju kemi sugjeruar është për dy persona, por mund edhe ta ruani gjysmën në frigorifer e ta konsumoni gjatë ditës./AgroWeb.org