Patëllxhanë të Mbushur me Gjizë – Shije dhe Shëndet i Mirë

3k 0

Patëllxhanët janë ndër perimet fantastike që pavarësisht mënyrës apo recetës së përgatitjes të tërheqin përherë oreksin.

Vlerat fantastike të patëllxhanit vijnë kryesisht nga vitaminat dhe mineralet. Patëllxhani është i mbushur me vitamina C, K, B6, magnez, fosfor, bakër, fibër, acid folik, potas dhe mangan.

Të përgatitur në gjellë e tava të ndryshme, sallata apo edhe turshi, patëllxhanët të mrekullojnë me shijen e tyre fantastike në çdo recetë gatimi.

Agroweb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e patëllxhanëve të pjekur me gjizë, një recetë e thjeshtë dhe shumë e shijshme.

Kjo recetë kërkon pak kohë në përgatitje dhe është një kombinim i shkëlqyer i patëllxhanëve dhe gjizës, vezëve dhe erëzave.

Përgatitja e Patëllxhanëve me Gjizë

Përbërësit

  • 5-6 patëllxhanë mesatarë
  • 4 vezë
  • 400- 500 gr gjizë pa kripë
  • 4-5 lugë miell
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz

Përgatitja

Patëllxhanët i lajmë, u presim bishtat dhe më pas i vendosim në një tenxhere me ujë për t’i zierë 10-15 minuta. Mund t’i provoni me një pirun, nëse janë zbutur mjaftueshëm, piruni do të depërtojë lehtësisht.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që të hiqni tenxheren nga zjarri, t’i kulloni patëllxhanët dhe t’i vendosni në një pjatë për t’u ftohur.

Kur të jenë ftohur i presim në mes (për së gjati) dhe me ndihmën e një luge heqim tulin por jo plotësisht.

Në një tas tulin e patëllxhanit, e përziejmë me vezët, gjizën, majdanozin e prerë hollë, kripën piperin dhe miellin. Duke e trazuar me kujdes, deri sa masa të jetë homogjene.

Në zjarr kemi vendosur një tigan ku kemi hedhur me vaj ulliri, patëllxhanët i mbushim me masën që përgatitëm dhe i vendosim për t’i skuqur në fillim nga ana e lëkurave të patëllxhanit dhe kur të kenë marr pak formë kthehen dhe nga ana tjetër. Në këtë mënyrë ruhet forma që duam.

Pasi i heqim nga tigani i vendosim në një pjatë me letër kuzhine për të thithur yndyrën e tepërt.

Nëse preferoni patëllxhanët pasi i zjerë mund të vijoni me mbushjen dhe t’i piqni në furrë.

Shoqërohet me kos të freskët apo dhallë si dhe sallata të freskëta të stinës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.