Si të Përgatisni Vetë në Shtëpi Koncentrate Mishi për Supa të Shëndetshme

2.4k 0

Është stina e supave të ngrohta. Një supë me lëng kockash ose lëng mishi është ideale dhe shëruese.

Shpesh amvisat përdorin koncentrate mishi, por ato përmbajnë shumë kimikate dhe përbëjnë rrezik për shëndetin.

Koncentratet me shije pule, viçi apo erëzash përmbajnë edhe ngjyrues artificialë tepër të rrezikshëm.

Këto ngjyrues artificialë kanë ndikim negativ në shëndetin mendor dhe për organizmin.

Ato janë ndër produktet më të përpunuara në industrinë ushqimore.

AgroWeb.org do t’ju sjellë një mënyrë të shëndetshme për të bërë vetë në shtëpi koncentrat të lëngut të kockave për supat dhe të gjithë gatimet tuaja.

Duhet të përgatisni një lëng të trashë që të jëtë më e lehtë për t’u mpiksur.

Mënyra e përgatitjes

Hidhni në tenxhere 2 kg kocka mishi ose mish bashkë me kocka, 1 qepë të prerë në katër pjesë, thelpinjtë e qëruar të një koke të plotë hudhre, 8 gota ujë, 50 ml uthull molle dhe gjysëm kg me perime të ndryshme si spinaq, brokoli apo çdo perime që dëshironi.

AgroWeb.org ju rekomandon t’i lini të ziejnë për rreth 1-2 orë. Nëse lëngun e dëshironi më të trashë atëherë do ta lini të ziejë më shumë deri sa ta shihni se ka arritur trashësinë e dëshiruar.

Më pas hiqni perimet, qepët dhe kockat. Lereni të ftohet në temperaturë ambienti.

Nëse dëshironi mund edhe të hiqni vetëm kockat dhe të grini në mikser lëngun bashkë me perimet.

Hidheni masën në tenxhere dhe ziejeni sërish në temperaturë të ulët deri sa masa të jetë trashur dhe pjesa më e madhe e lëngut të ketë avulluar.

Në të dyja rastet, me ose pa perime, lëreni masën të ftohet dhe hidheni në kubikë akulli që përdorni për ngrirje.

Futini në ngrirje dhe pasi të kenë ngrirë, futini në qese dhe mbajini po në ngrirje në frigorifer.

Këto kubikë prej koncentrati lëng mishi mund t’i përdorni rregullisht në çdo gatim tuajin./AgroWeb.org