Pure Patatesh dhe Qofte Shtëpie – Pjata Plot Shije dhe Shëndet

2.9k 1

Pureja me patate është një nga ushqimet më të shijshme për fëmijë e të rritur.

Ajo jo vetëm që gatuhet lehtë dhe me pak përbërës, por është një shoqëruese e mirë e shumë ushqimeve të shëndetshme.

Pureja kremoze përgatitet me patate të ziera, kripë, gjalpë ose edhe me qumësht dhe shoqërohen në mënyrë të shkëlqyer me qofte shtëpie.

Në disa raste, amvisat përdorin edhe djathin bebe për t’i dhënë puresë butësinë, shkriftësinë dhe shijen e mirë.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së puresë dhe qofteve të shtëpisë.

Si Të Përgatisni Pure Patate Në Pak Minuta

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

Për purenë

  • 6 Patate rrumbullake
  • 4 lugë gjelle me gjalpë të freskët (për një ushqim më të shëndetshëm në vend të gjalpit AgroWeb.org ju sugjeron të përdorni vaj ulliri)
  • Çerek gote me qumësht
  • Kripë.

Për qoftet

  • 300-400 gr mish i grirë
  • 1-2 kokrra qepë
  • 6-7 thelpinj hudhra
  • 2 feta bukë
  • 1 kokërr vezë
  • kripë
  • 4-5 lugë gjelle miell për qoftet

Përgatitja e Puresë

Në një tenxhere të madhe të mbushur me ujë, hidhni dy lugë gjelle me kripë.

Qërojini patatet, shpërlajini dhe pritini në copa.

Mbajini në ujë të ftohtë deri sa të jeni gati për t’i zier.

Pasi uji të ketë marrë valë, shtojini patatet në tenxhere dhe ziejini për 15 deri në 20 minuta.

Kontrollojini nëse janë zier dhe më pas hiqini nga zjarri.

Në një tenxhere tjetër ngrohni qumështin dhe gjalpin deri sa të lëshojnë avull.

Kullojini patatet dhe vendosini sërish në tenxhere që të përthahen.

Më pas shtypini ato ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme deri sa të përfitoni një masë kremoze të trashë.

Më pas hidhni ngadalë qumështin e ngrohur me gjalpë dhe përziejeni me një lugë druri.

Provojeni purenë për kripë dhe hidhni sipas dëshirës. Në këtë pikë pureja është e butë por me kokrra dhe nuk ka marrë akoma kremozitetin e puresë tradicionale.

Shija dhe aroma e gjalpit duhet të plotësojë atë të patates por jo ta kapërcejë atë.

Vazhdoni përziejeni me lugë dhe çdo kokrrizë shtypeni në anët e enës duke siguruar një përzierje të njëtrajtshme të saj.

Nëse purenë e dëshironi të hollë apo të lëngshme mund të shtoni më shumë qumësht.

Por nëse mendoni se pureja ka arritur trashësinë e preferuar, atëherë ndaloni menjëherë sepse patatet ngjiten shpejt.

Nëse nuk do ta servirni purenë, atëherë hidhni gjalpë në sipërfaqen e saj dhe mbajeni të mbështjellë në një vend të ngrohtë.

Pureja qëndron e ngrohtë për të paktën 30 minuta.

Një tjetër alternativë është ta vendosni në një tenxhere të mbushur me pak ujë të valuar.

Për përgatitjen e qofteve

Në tas të madh bashkojmë mishin e grirë me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin qepët dhe hudhrat e grira hollë, miellin dhe i përzjejmë  mirë derisa masa të jetë bërë homogjene.

Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokërr arre. I kalojmë në miell, i skuqim dhe në fund i servirim me purenë e patateve.

Vlerat ushqimore të puresë

Vlerat ushqimore të puresë së patates janë në varësi të përbërësve të zgjedhur.

Një racion i puresë së përgatitur me qumësht dhe gjalpë ofron 240 kalori, 4 gramë proteinë, 9 gramë yndyrë, 35 gramë karbohidrate, 12.5 miligramë vitaminë C dhe 600 miligramë kalium.

Nëse përgatisni pure të përzier me patate dhe lulelakër mund të merrni më shumë vitamina dhe minerale dhe më pak kalori./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.