Tërshëra është një drith shumë i shëndetshëm jo vetëm për rënien nga pesha dhe për gjithë organizmin.
Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org thonë se tërshëra është shumë e pasur me fibër e cila është shumë e vyer për shëndetin e aparatit tretës.
Ajo garanton ngopje afatgjatë dhe ndihmon që zorrët të kryejnë funksionin e tyre më së miri.
Tërshëra është gjithashtu një burim i pashtershëm proteinash dhe antioksidantësh të cilat na japin plot të mira nëse hamë tërshërë në mëngjes.
Një nga mënyrat e shijimit të tërshërës është nëpërmjet qumështit të drithit.
Si Të Përgatisni Qumështin e Tërshërës
Qumështi i tërshërës përgatitet mjaft thjeshtë.
Drithi i plotë lihet në një enë me ujë dhe më pas përzihet në mikser.
Lëngu kullohet në një napë të pastër dhe rezultati është një pije kremoze qumështore pa hormone dhe substanca të shtuara.
Qumështi i tërshërës është një alternativë e shkëlqyer për njerëzit që ndjekin regjime ushqimore me bazë bimore, vegane ose pa bulmet.
Ai është i përshtatshëm edhe për njerëzit që vuajnë nga alergjitë ndaj arrorëve apo glutenit.
Ky qumësht ofron sasi të jashtëzakonshme të fibrës, veçanërisht llojit beta-glukan, që përmirëson imunitetin, shëndetin e stomakut dhe të zemrës.
Një studim të cilit i referohet AgroËeb.org thotë se njerëzit që pijnë 750 ml qumësht tërshëre çdo ditë për pesë javë, pësojnë një ulje prej 5 përqind të kolesterolit të keq.
Sipas studimeve, qumështi i tërshërës është i mirë për përmirësimin e humorit, uljen e nivelit të sheqerit në gjak, shëndetin e lëkurës, flokëve e thonjve dhe mund të ndihmojë në parandalimin e diabetit të tipit 2.
Përbërësit:
- 1 filxhan tërshërë të plotë (pa gluten)
- 3-4 gota ujë
- Një majë luge çaji kripë të trashë.
Përgatitja:
Hidheni tërshërën në një enë dhe shtoni një gotë ujë.
Drithi duhet të jetë i mbuluar nga uji dhe duhet të qëndrojë ashtu për gjysmë ore që të krijojë lëngun qumështor.
Më pas kullojeni tërshërën dhe hidheni në një mikser ku do të shtoni ujin e mbetur dhe kripën.
Përziejini mirë deri sa të përfitoni një masë kremoze dhe kalojeni atë në një napë për të kulluar, njësoj si në rastin e salcës së kosit.
Qumështin e krijuar hidheni në një shishe qelqi, të cilën mund ta mbani në frigorifer deri në 5 ditë. /AgroWeb.org