Si të Përgatisni Turshi me Panxhar të Kuq – Shije dhe Shëndet

4.6k 0

Vlerat shëndetsore që përfiton organizmi nga konsumimi i turshive të panxharit të kuq janë të jashtëzakonshme 

Nuk ka si turshitë! Janë të dashura në çdo stinë, sidomos në ditët e ftohta që po afrojnë. Ato shërbejnë si shoqëruese fantastike të çdo gatimi duke na përfshirë tërësisht me shijen  e tyre pak të thartë e pak të athët njëkohësisht.

Secila prej turshive shqiptare ka shijen e saj magjepsëse. Disa lënë mendtë për turshinë e patëllxhanit, disa të tjerë për atë të domates së gjelbër apo turshinë e lakrës.

Por ka edhe një tjetër turshi që zgjon shqisën e urisë dhe shijes në stomak: Turshia me Panxhar të Kuq!

Panxhari kuq është një nga perimet më të dashura të nëntokës. Ai është lehtësisht i dallueshëm, jo vetëm nga forma por edhe ngjyra e kuqerremtë.

Kjo perime mund të rritet në klima të ndryshme, por jo gjithmonë është jetëgjatë, ndaj fermentimi është metoda më e mirë për t’i marrë panxharit më të mirën që ka.

Panxhari turshi ofron vlera të shumta shëndetsore, sepse është i pasur me fibër dhe disa vitamina dhe minerale.

AgroWeb.org përcjell në këtë lajm, vlerat shëndetësore që përfiton organizmi nga konsumimi i turshive të panxharit të kuq si dhe recetën e përgatitjes së kësaj turshie në shtëpi.

Përbërësit:

  • 2 kilogramë e gjysmë me panxharë të vegjël dhe pastruar nga kërcenjtë.
  • 3/4 e filxhanit të çajit me kripë
  • 500 ml ujë

Si të bëni panxhar turshi në kushtet e shtëpisë

Si fillim përgatisni shëllirën duke hedhur në një tenxhere ujin dhe kripën dhe përzjejeni derisa të kenë shkrirë kokrrizat e saj.

Më pas vendoseni në zjarr, pasi të ketë zierë lihet të qëndrojë përreth 12 orë.

Ndërkohë pastroni panxharët nga bishtat, qërojini lëkurën dhe shpëlajini me ujë të bollshëm.

Pritini panxharët në disa copa dhe vendosini në një enë të madhe apo kavanozë qelqi.

Shtoni aty shëllirën e përgatitur, derisa panxharët të jenë të mbuluar plotësisht.

Vendosini kapakët dhe mbyllini fortë dhe lërini që të fermentohen.

Pas 20-30 ditëve turshitë do të jenë gati për t’i servirur.

Mjafton që t’i shpëlani nga shëllira dhe t’i përfshini në recetat tuaja.

Turshitë mund t’i ruani në frigorifer ose në ndonjë vend të freskët.

Vlerat Shëndetësore të Panxharit Turshi

Pak yndyrna dhe shumë karbohidrate

Panxhari turshi përmban pak yndyrë. Në një filxhan me feta panxhari turshi gjendet 0.2 g yndyrë.

Konsumimi i ushqimeve me pak yndyrë siç është panxhari turshi ndihmon në menaxhimin e peshës.

Duhet të dini që disa yndyrna, siç janë ato të ngopura mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Për fat të mirë, panxhari turshi nuk përmban asnjërën prej tyre.

Karbohidratet janë burimi kryesor energjik për trupin.

Kjo është arsyeja përse njerëzit që merren me sport dhe kanë një jetë aktive kanë nevojë të konsumojnë ushqime të pasura me karbohidrate.

Panxhari turshi është një zgjedhje mjaft e mirë sepse në një filxhan me feta panxhari turshi gjenden 37 gramë karbohidrate.

Fibra dietike dhe Kalium

Panxhari turshi është një burim i mirë i fibrës dietike. Në një filxhan me panxhar turshi gjenden  6 g të këtij ushqyesi që ofron një sërë përfitimesh shëndetsore, por edhe përmirëson tretjen, përcjell ndjesinë e ngopjes dhe mban sheqerin në gjak në nivele të qëndrueshme.

Nëse merreni me aktivitet fizik, atëherë mos i’u ndani panxharit turshi.

Ai është i pasur jo vetëm me karbohidrate por edhe me kalium, një elektrolit që lehtëson transmetimin e impulsive nervore në trup.

Njerëzit humbin shumë kalium nëpërmjet djersës dhe nivelet e pakëta të tij shkaktojnë plogështi, mungesë energjie, rrahje të çrregullta të zemrës dhe kontraktime të muskujve.

Magnezi dhe Vitamina A

Panxhari turshi është një burim i mirë i magnezit, një ushqyes që ruan funksionet e nervave, muskujve, sistemit imunitar dhe zemrës.

Nivelet e pakëta të magnezit shkaktojnë dobësi, lodhje dhe mungesë oreksi.

Panxhari turshi është i pasur me vitaminë A, një ushqyes që përdoret nga organizmi për të garantuar shëndetin e syve, lëkurës dhe dhëmbëve. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.