Zupa është një ëmbëlsirë sa e thjeshtë aq edhe e shijshme.
Nuk kërkon shumë mund ndaj dhe amvisat e përgatisin shpesh në mënyra të ndryshme.
Kremi i butë e i freskët me bazë biskotash duket si një ide e mirë për të ëmbëlsuar vaktet në çdo kohë.
Akoma më shumë kur të gjithë përbërësit janë të shëndetshëm dhe të lehtë për organizmin.
Mënyrat e përgatitjes së zupës janë të shumta, por në recetën e sotme AgroWeb.org ju këshillon të provoni diçka më ndryshe.
Përgatitja me kos, biskota dhe çokollatë është ndër mënyrat më të shëndetëshme për të realizuar këtë recetë.
Ndiqni më poshtë këshillat e AgroWeb.org që të shijoni sa më parë recetën e zupës së mrekullueshme me kos.
Përbërësit
- 500 ml kos
- 200 gr biskota
- 250 gr çokollatë
- 250 ml qumësht
- 45 gr lugë gjelle sheqer
- kripë
Përgatitja
AgroWeb.org ju këshillon ta nisni këtë recetë duke përgatitur kremin e zupës.
Si fillim grini copat e çokollatës me anë të një thike të mprehtë ose në rende.
Kini parasysh që copëzat e çokollatës duhet të jenë sa më të vogla, në mënyrë që të shkrijnë lehtësisht.
Në një tenxhere të thellë hidhni qumështin, sheqerin dhe pak kripë dhe vazhdoni t’i përzieni në nxehtësi mesatare.
Kur qumështi të jetë i nxehtë hidhni pak nga pak copëzat e çokollatës, përziejeni dhe lëreni në zjarr edhe për 1 minutë tjetër.
Mundohuni ta përzieni qumështin me çokollatën vazhdimisht edhe pasi ta keni hequr nga zjarri derisa të formohet një masë e trashë, kremoze.
Nëse ju mbesin copëza çokollate pa shkrirë mundohuni që t’i shtypni ose t’i thërrmoni me një rrahës elektrik.
Më pas merrni kosin të cilit duhet t’i kulloni lëngun nëse ka, në mënyrë që kosi të jetë sa më i trashë.
Hidheni atë në një enë të thellë dhe përziejeni për disa sekonda me një rrahës elektrik, derisa të përfitoni një masë pak më kremoze.
Përzieni me një spatul ose lugë edhe çokollatën e shkrirë dhe hidheni pak nga pak tek kosi.
Teksa vazhdoni me përzierjen për 2-3 minuta, sigurohuni që të gjithë përbërësit të jenë bashkuar mirë me njëri tjetrin.
Duhet të përfitoni një krem të trashë me ngjyrën e çokollatës.
Servirja
Ndërkohë zgjidhni të paktën 6 gota ose enë të vogla për servirje në mënyrë që të shtroni biskotat dhe të vazhdoni me përgatitjen e zupës.
Copëtoni me duar 2-3 biskota dhe hidhini tek njëra nga gotat, të njëjtën gjë bëni edhe me gotat e tjera.
Më pas hidhni një shtresë nga kremi që përgatitët më parë dhe sërish disa copëza ose thërrime biskotash sipër kremit.
Formoni të paktën tre shtresa në secilën nga gotat që keni përzgjedhur për servirje.
Bëjeni këtë derisa i gjithë kremi dhe biskotat të kenë mbaruar.
Shtresën e fundit mbulojeni me krem dhe sipas dëshirës mund të hidhni disa thërrime biskotash, arrash apo bajamesh sipër.
Futini zupat tuaja në frigorifer për të paktën dy orë dhe më pas konsumojini për t’i shtuar ëmbëlsi ditëve tuaja./AgroWeb.org