Përse 10 Vitet e Ardhshme Janë Vendimtare për Planetin

572 0

Prej vitesh tashmë kyrefjala e shkencëtarëve, ambientalistëve, shteteve dhe organizatave ndërkombëtare është përkujdesja për planetin.

Shqetësimi sa vjen e bëhet më serioz, duke marrë parasysh fushatat e panumërta mbi ndotjen nga gazrat në atmosferë apo plastika në dete e oqeane.

Korrikun e vitit 2019 shkencëtarët dhanë lajmin se është regjistruar një nga muajt me temperaturat më të larta në histori.

Mesa duket temperaturat janë rritur me 0.95 gradë Celsius më shumë se një shekull më parë.

Këto të dhëna shqetësuese, si dhe rreziku për zhdukjen e një sërë speciesh në të gjithë planetin, kanë ngritur alarmin mbi masat që duhen ndërmarrë.

Sa rrezikohet planeti

Prej shumë vitesh ekspertët kanë lajmëruar se planeti po hyn në një cikël të vetëshkatërrimit.

Sipas shkectarëve planeti kaluar rreth 5 faza të tilla, por është e para herë që kjo gjë provokohet nga njeriu.

Këtu rol të rëndësishëm luajnë ndotjet nga fabrikat, ndërhyrja në proceset natyrale të tokës, keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe sigurisht plastika.

Ekspertët shprehen se, me këto ritme elefantët do të jenë ndër kafshët e para që do të zhduken në vetëm një gjeneratë, duke u ndjekur nga popullatat e amfibëve.

Ngrohja globale nga ana tjetër që po ngroh dhe shton aciditetin deteve dhe oqeaneve është një tjetër rrezik i vazhdueshëm, si për koralet ashtu dhe për jetën nënujore.

Në total në botën gjenden 8 milion kafshë dhe specie, ku 1 milion prej tyre janë të rrezikuara për tu zhdukur në vitet e ardhshme.

Kjo shifër zhdukje është shumë herë më e madhe se një shekull më parë dhe e gjitha vjen si pasojë e ndërhyrjes së njeriut.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara veprimi i njerëzve në tokë është 75% ndërsa në dete dhe oqeane rreth 66%.

Në vetëm 250 vite rreth 600 lloje bimësh janë zhdukur plotësisht dhe janë të pakthyeshme për ekostitemin tonë.

Zhdukja e këtyre bimëve është një problem i madh në rregullimin e zinxhirit ushqimor dhe në jetëgjatësinë e shumë kafshëve.

Shkatërrimi i biodiversitetit të planetit prek drejtërdrejtë agrikulturën, mënyrën se si në ushqehemi dhe jetojmë.

Si do të veprohet

Kombet e Bashkuara kanë paraqitur një plan mbi ‘Diversitetin Biologjik’ i cili synon që të mbrojë disa zona të planetit.

Më shumë se 1/3 e planetit do të duhet të kalojë në një status të mbrojtur.

Kjo nëse ritmet e ndotjes dhe ndërhyrjes njerëzore nuk ulen në këtë 10 vjeçar.

Sipas tyre kjo dekadë e ardhshme është vendimtare mbi gjendjen e planetit dhe jetën e shëndetëshme në tokë.

“Biodiversiteti dhe vlerat që i siguron ambientit janë thelbësore për jetën dhe mirëqënien në tokë.” – thuhet në dokumentin e paraqitur nga Kombet e Bashkuara.

Një nga objektivat më të rëndësishme të këtij raporti është reduktimi i plastikës me 50% në të gjithë planetin.

Kjo pa lënë pas ndotjen nga gazrat dhe ndërhyrje te tjera kimike në tokë dhe ajër.

Gjithashtu edhe siguria ushqimore ku synohet që ushqimet në të gjithë botë të jenë më natyrale dhe të shendetëshme.

Ky dokument i prezantuar këtë të henë do të përfundohet në muajin tetor dhe synon të rehabilitojë jetën në tokë.

Në një planet ku popullsia pritet të shkojë në 9.8 billion njerëz në vetëm 30 vite./AgroWeb.org