9.1k 0

Si t’i Thani Kumbullat Lehtë në Kushtet e Shtëpisë

Kumbullat e thata janë përdorur prej shekujsh për të zgjidhur një sërë problemesh me sistemin tretës.

Ato përmbajnë fibër, sorbitol (një lloj sheqeri që hollon jashtëqitjen) dhe një përbërës natyral laksativ që rikthejnë ekuilibrat në sistemin tretës.

Kumbullat e thata gjenden kudo në treg, por ato mund t’i përgatisni vetë në shtëpi sipas udhëzimeve që AgroWeb.org ju sjell më poshtë.

Si T’i Thani Kumbullat Lehtë Në Kushtet E Shtëpisë

Lajini kumbullat mirë me ujë të bollshëm dhe thajini.

Ndajini në gjysmë me një thikë të vogël dhe hiqni bërthamën.

Gjysmat e kumbullave vendosini kokëposhtë në skarën e furrës.

Për tharjen e tyre nuk duhet të përdorni një tepsi.

Gjatë tharjes, kumbullat do të nxjerrin shumë lëng dhe nëse do të përdoni tepsi, lëngu do të pengojë tharjen.

Kur t’i vendosni kumbullat në zgarë, sigurohuni që të kenë hapësirë nga njëra tjetra.

Në pjesën fundore të furrës mund të vendosni letër kuzhine  mbi një tepsi për të penguar ndotjen e furrës nga lëngjet e kumbullave.

Ndizeni furrën në një temperaturë prej 90 deri në 100 °C.

Sigurohuni që skara është e vendosur drejt dhe që kumbullat nuk kanë rrezik të bien.

Lërini kumbullat të thahen dhe herë pas here rrotullojini ato që të siguroheni se tharja do të jetë e njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që kumbullat të jenë të rrudhura dhe me ngjyrë të errët, por në të njëjtën kohë të jenë të buta dhe pak të lëngshme.

Megjithatë, ka njerëz që i preferojnë kumbullat tepër të thata.

Për rrjedhojë, tharja në kushtet e shtëpisë duhet bërë sipas preferencës suaj.

Tharja e kumbullave mund të zgjasë deri në 8 orë.

Disa kumbulla mund të thahen më shpejt ndërsa disa të tjera kanë nevojë për më shumë kohë.

Ruajtja Dhe Jetëgjatësia E Kumbullave Të Thata 

Pas tharjes ju mund t’i vendosni në një enë qelqi me kapak ose në një qese plastike.

Kumbullat mund të vendosen në një vend të errët e të freskët, në ngrirje dhe në frigorifer.

AgroWeb.org ju tregon se në frigorifer, kumbullat e thata qëndrojnë nga 6 deri në 12 muaj.

Në ngrirje ato mund të konsumohen për deri 18 muaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.