2.8k 0

Si të Sistemoni Dollapin në Mënyrë të Zgjuar

Kohët e fundit, pastrimi dhe rregullimi i dollapëve është transformuar nga një detyrë e mërzitshme shtëpie në një trend mode.

Për këtë arsye, ekspertët e AgroWeb.org janë konsultuar me profesionistët për të marrë prej tyre këshillat më të mira se si duhet ruajtur rregulli dhe pastërtia në dollapët e rrobave.

Rregulli i artë i sistemimit të dollapit është që ta organizoni në mënyrë të atillë që t’ju veshë shpejt, siç duhet dhe bukur.

Rrobat Duhen Ndarë Sipas Kategorive

Rrobat duhen ndarë në kategori:

  • pantallona,
  • kostume
  • fustane,
  • këmisha,
  • triko e xhinse
  • rroba sportive dhe të gjumit
  • aksesorë,
  • të brendshme.

Në dollapët tuaj, secila prej rrobave duhet ndarë sipas kategorive. Pra, fustanët duhen palosur ose varur me fustanet, pantallonat veçmas, bluzat veçmas e të brendshmet veçmas.

Rrobat Delikate Në Varëse

Nëse keni rroba delikate, sigurohuni që ato të qëndrojnë gjithmonë në varëse, jo të palosura e aq më pak të zhubrosura.

Rrobat duhen varur në të njëjtin drejtim për të krijuar sa më shumë rregull në dollap.

Varëset E Njëjta

Varëset nuk duhet t’i zgjidhni plastike por prej druri që të mund të mbajnë si palltot e rënda edhe bluzat e lehta.

Për kostumet dhe bluzat prej mëndafshi ose rroba delikate duhet të zgjidhni varëse të kadifenjta.

Xhinset Dhe Trikot Duhen Palosur

Pantallonat xhins apo të një materiali më të trashë dhe trikot nuk duhen mbajtur në varëse por palosur.

Ato zënë vendin e tyre, janë të rënda dhe qëndrojnë të paprekura e të palëvizura në dollap.

Pizhamet Dhe Kostumet Sportive Nëpër Rafte

Bluzat prej pambuku, streçet sportive apo pantallonat e shkurtra, janë të holla dhe të manovrueshme.

Ato janë perfekte për tu mbështjellë në formën e tubit duke liruar më shumë vend në rafte.

Pra këto rroba nuk duhen palosur si zakonisht por u duhet dhënë forma e një tubi të vogël dhe të futen ose në rafte ose në kutiza rrobash.

Rrobat Më Të Përdorura Duhet Të Jenë Para Syve

Çdo rrobë apo veshje që e vishni rregullisht duhet të jetë në zonën e mesit të dollapit dhe në një nivel me sytë.

Kësisoj do ta gjeni dhe merrni lehtë në mëngjes.

Rrobat më pak të përdorura duhet të jenë në sirtarët apo pjesën e sipërme të dollapit.

Garderoba Sipas Ngjyrave

Ndarja dhe kategorizimi i rrobave sipas ngjyrave është një teknikë që jua bën më të lehtë përzgjedhjen e veshjes.

Nëse ju pëlqen një ide e tillë mund t’i kategorizoni rrobat sipas ngjyrave të ylberit.

Veshjet e Brendshme

Veshjet e brendshme ruhen në sirtarin më të afërt dhe më të arritshëm në dollap.

Në mënyrë që të maksimizoni rregullin në këtë sirtar, ekspertët këshillojnë përdorimin e ndarëseve plastike të hapësirës në sirtarë.

Me disa syresh, mund të palosni e mbështillni të brendshmët në forma të vogla, e kësisoj sirtari do të jetë tepër i rregullt.

Shajet

Në një dollap të pasistemuar mirë, shajet janë sa andej e ca këndej.

Mënyra më e mirë për t’i sistemuar ato, është që t’i vendosni nëpër varëse.

Jo vetëm që nuk do të rrudhen por do të jenë gati për tu vendosur në qafë.

Boshllëqet Janë Një Grackë Për Rrëmujë

Mos u tundoni të mbushni zonat boshe në dollapin tuaj.

Lërini zonat bosh dhe mos i mbushni me sende që nuk kanë vend aty, vetëm se ju duket sikur ka vend.

Secila rrobë duhet ndarë me kategori dhe çdo rrobë e asaj kategorie duhet të qëndrojë pranë tjetrës e jo në kahe të kundërta./AgroWeb.org