Speca të Tharë të Mbushur me Mish – Receta Fantastike e Traditës

1.1k 0

Specat e mbushur me mish të grirë, qepë e oriz janë ndër gatimet më popullore jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Specat e mbushur dhe të pjekur në furrë gatuhen në shtëpitë shqiptare të paktën një herë në javë.

Zakonisht amvisat shqiptare zgjedhin speca jeshilë e të mëdhenj për mbushje.

E njëjta praktikë ndiqet edhe nga vendet fqinje, por në Maqedoninë e Veriut, amvisat mbushin me mish e oriz edhe specat e tharë.

Speca Të Tharë Të Mbushur Me Mish e Oriz

Shija, për atë që e ka provuar gatimin në fjalë, është e mrekullueshme.

Përbërësit:

  • 15-20 speca të tharë
  • 400 gramë mish të grirë
  • 200 gramë oriz
  • 1 lugë çaji spec të kuq pluhur
  • Një lugë çaji piper të zi pluhur
  • 1 qepë
  • 2 lugë gjelle erëza të përziera
  • 1 lugë çaji majdanoz
  • 4 gota ujë
  • 1 filxhan çaji salcë domate
  • Vaj gatimi

Përgatitja:

Në fillim, amvisat duhet të ziejnë specat e tharë që të mundësohet zbutja e tyre.

Më pas, specat duhen pastruar nga farat.

Vendosni një tigan në zjarr dhe kaurdisni qepën e grirë hollë e më pas shtoni mishin e grirë dhe erëzat.

Tiganisini për 10 minuta derisa mishi të jetë plotësisht i skuqur dhe i bërë.

Shtoni orizin dhe specin e kuq pluhur dhe në fund salcën e domates.

Mbushini specat një e nga një me anë të një luge çaji dhe më pas në grykën e specave mund të vendosni nga një fetë domate apo patateje.

Rreshtojini specat një e nga një në tepsi, shtoni pak ujë sa të mbulohen në gjysmë, pak salcë domate, pak vaj ulliri dhe futini në furrë të piqen në 250 gradë.

Pjekja quhet e përfunduar kur  orizi të jetë plotësisht i gatuar.

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që specat e tharë dhe më pas të zbutur me ujë kërkojnë më pak kohë për tu pjekur ndryshe nga specat e freskët./AgroWeb.org