163 kilometra me biçikletë për të ndërgjegjësuar për nismën “Vjosa Park Kombëtar”

350 0

Këtë fundjavë një i ri nga Tirana pedaloi me biçikletë 163 kilometra përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa për të ndërgjegjësuar qytetarët që të kërkojnë shpalljen e pellgut ujëmbledhës të këtij lumi Park Kombëtar.

Erind Gjoni, 33 vjeç, baba i dy fëmijëve, i cili çiklizmin e ka pasion që e ushtron vitet e fundit, pedaloi të shtunën me biçikletë nga “Tre Urat” në Përmet deri në grykëderdhjen e lumit Vjosa në Adriatik. Një itenerar prej 7 orë e 46 minutash pedalim mes peizazheve përrallore që ofron mjedisi i veçantë i rrjedhës së Vjosës.

Duke përshkruar nismën e tij të shpallur në rrjetet sociale ai tha për Euronews Albania se ideja për të përshkruar 163 kilometra me biçikletë i erdhi rreth një vit më parë kur u njoh me angazhimet e shoqatave mjedisore për të mbrojtur lumin e Vjosës nga projektet për hidrocentrale.

Në përditshmëri, Erindi merret me marketing si profesion dhe thotë se për të “çiklizmi dhe natyra janë ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj familjare”.

“Pasioni im është çiklizmi, bëra 163 kilometra brenda ditës për të thënë fjalën time për Vjosën, të tjerë mund të ngjisin një nga malet përreth nga ku gjarpëron ky lum, të tjerë mund të bëjnë kanotazh, apo ide të tjera, por e rëndësishme është që të gjejmë një mënyrë për të tërhequr vëmendjen për këtë çështje. Vetëm kështu do frymëzojmë të tjerë dhe mundësojmë që Vjosa të bëhet Park Kombëtar,” –thotë Gjoni.

Dy dhjetëvjeçarët e fundit, lumi i Vjosës, i cili rrjedh nga malet e Pindit në Greqi, është vënë në rrezik nga projektet e dhjetëra hidrocentraleve të planifikuara në përrenjtë apo dhe vetë shtratin e tij – ndër më kërcënuesit sipas shoqatës mjedisore EcoAlbania janë hidrocentrali i Poçemit dhe ai i Kalivaçit.

Në rrjedhën e lumit Vjosa, i konsideruar i fundit lum me rrjedhë të lirë në Evropë, jetojnë rreth 1,100 specie, të cilat mund të zhduken nëse në lum ndërtohen diga. Për këtë një grup ekspertësh vendas dhe të huaj kanë rekomanduar që zona të shpallet Park Kombëtar.

“Mendimi im është që të gjithë ne duhet të pozicionohemi qartë për idetë tona dhe të ngremë zërin për çështjet që mendojmë se janë të padrejta. Në këtë vend kanë ngelur pak gjëra për të cilat ia vlen të luftohet dhe ia vlen të mos largohesh dhe Vjosa për mua është një prej tyre,” – shprehet më tej Erind Gjoni, duke shtuar se shpreson që të tjerë si ai të bëjnë diçka më tepër për të ndërgjegjësuar për çështjen.

Nga qeveria është thënë se në lumin Vjosa nuk do të lejohen ndërtime hidrocentralesh dhe se zonës do t’i jepet statusi “Zonë e Mbrojtur” si “Peizazh natyror”. Mirëpo mjedisorët thonë se ky status nuk e mbron tërësisht ekosistemin e zonës dhe lë të hapur që në të ardhmen projekte të tjera të mund të gjejnë zbatim.

Mjedisorët kanë përshkallëzuar fushatën gjatë muajit të fundit duke u kërkuar palëve politike që në programet e tyre ta qartësojnë qëndrimin që kanë për kërkesën e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar./Burimi:EuroNews