Protesta kundër masave anti-COVID, nga Gjermania, në Itali e Bosnje, qytetarët mbushin sheshet

316 0

Rreth 1 mijë kundërshtarë të masave anti-COVID u mblodhën në zonën e këmbësorëve në Schaffhausen të Gjermanisë për të protestuar. Tubimi nuk ishte i autorizuar dhe asnjë nga pjesëmarrësit nuk mbante maskë.

Sidoqoftë, policia nuk ndërhyri pasi manifestimi ishte paqësor. Faktikisht, autoritetet në qytetin Schaffhausen i druheshin një skenari të tillë, ndaj dhe tërhoqën lejet e dhëna që prej ditës së enjte.

Ndërkohë, në Sarajevë, qytetarët u mblodhën sërish në qendër të qytetit për protestën e dytë nën moton “Luftoni për jetën”, për të shprehur pakënaqësinë mbi mënyrën se si autoritetet kanë menaxhuar pandeminë, për mungesën e vaksinave dhe për të kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve të lartë.

Qytetarët bllokuan rrugën kryesore në afërsi të godinës së Parlamentit, ku ende ka një prani të theksuar policore.

Ndërsa në Romë, mbi 1 mijë punonjës të industrisë së showbiz-it u mblodhën në sheshin e Popullit për të protestuar kundër mbylljeve dhe për të kërkuar rihapjen e sektorit në krizë.

Manifestuesit mbërritën në shesh me kutitë që simbolizojnë profesionin e tyre dhe i goditën ato me duar për të bërë zhurmë, me qëllim tërheqjen e vëmendjes.

Ata nuk kanë punuar për 419 ditë për shkak të masave kundër pandemisë, që kanë mbyllur teatrot dhe pikat e tjera të argëtimit./Burimi:EuroNews