Arsyet Përse Buka e Shtëpisë Nuk Fryhet Si Ajo e Bukëpjekësit

751 0

Një nga zhvillimet më interesante që është vënë re gjatë karantinës është rastet në rritje të përgatitjes dhe gatimit të bukës në kushtet e shtëpisë.

Këtë e shohim në postimet e larmishme në rrjete sociale të profesionistëve të gatimit por edhe njerëzve të tjerë.

Buka në traditën tonë është ajo që bashkon familjen në tryezë ndaj jo më kot, kjo praktikë ka marrë hov në këto kohë të vështira.

Kur buka gatuhet në shtëpi, çdo amvisë e di mirë se çfarë produktesh përdor dhe mund të mbajë nën kontroll sasinë e kripës apo përbërësve të tjerë që nuk i sheh dot nëse bukën e blen në furrën e lagjes.

Megjithatë, pavarësisht dëshirës së mirë, përbërësve të përzgjedhur ndodh që buka të mos fryhet siç duhet dhe për këtë ka disa arsye që do t;i gjeni të listuara më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org.

Majaja e Bukës Është e Skaduar

Nëse majaja është e skaduar apo pranë datës së skadencës ajo do të jetë problematike në gatim dhe produkti përfundimtar nuk do të dalë siç duhet.

Nëse keni mëdyshje për cilësinë e majasë së bukës bëni një provë fillestare duke tretur pak prej saj në gjysmë gote me ujë të vakët e me sheqer.

Pasi t’i keni përzier mirë prisni disa minuta për të parë cilësinë e majasë. Nëse në gotë formohen bulëza atëherë majaja është në rregull, në të kundërt, shkoni blini një tjetër.

Sasia e Gabuar e Miellit

Kur bëhet fjalë për bukën, saktësia dhe racionet e duhura të përbërësve të njomë dhe të thatë është e një rëndësie të veçantë.

Në receta disa përbërës sugjerohen duke përdorur lugën si njësi matje e disa të tjerë kërkojnë filxhanë e gota.

Nëse bëni një ngatërresë në përllogaritje atëherë mund të përballeni me një përdorim të lartë ose të mangët të miellit.

Gjatë përgatitjes, brumi mund të dalë shumë i ngjitshëm, i qullët apo i thatë por që të parandaloni surprizat, jepini kohë, disa minuta,  brumit që të kuptoni nëse ai është siç duhet.

Nëse gjatë punimit me duar vëreni që ka nevojë për miell shtoni edhe pak, nëse është shumë i thatë, shtoni pak më shumë ujë por sidoqoftë besojini duarve dhe syve.

Koha Është Kriter i Rëndësishëm

Brumi i bukës ka nevojë për kohën e vet që të fryhet.

Jepini kohën që duhet dhe kini durim.

Nëse brumi ka kohën e duhur për tu fryrë, buka do të jetë e lehtë dhe e butë.

Për të mundësuar një gjë të tillë, brumin vendoseni në një vend të ngrohtë por jo shumë të nxehtë.

Temperatura e Gabuar e Furrës

Buka perfekte kërkon një temperaturë ideale dhe shpesh me furrat e vjetra kjo është pakëz e vështirë.

Furra duhet ndezur 10-15 minuta përpara se të jeni gati të piqni bukën.

Kjo do të krijojë temperaturën ideale për pjekjen e bukës dhe arritjen e një rezultati cilësor./AgroWeb.org