Bakllava Me Fistikë Dhe Arra – Ëmbëlsira e Festave

5.1k 0

Fistiku është një nga arrorët më të lashtë në botë.

Falë vlerave të tij, ndër shekuj, fistiku ka qenë pjesë e pandashme e gostive të perandorëve, fisnikëve, udhëtarëve dhe njerëzve të thjeshtë .

Fistiku përfshihet në shumë gatime të shijshme e interesante.

Një i tillë është bakllavaja, një ëmbëlsirë që përputhet shumë mirë me shijen e fistikut.

Bakllavaja me fistik është një nga ëmbëlsirat më magjike që mund të provosh në Stamboll.

Megjithatë, nuk është nevoja të shkosh në Stamboll për të ngrënë një bakllava të tillë sepse mund ta përgatisni krejt lehtë në shtëpi falë këshillave të AgroWeb.org.

Bakllava Me Fistikë Dhe Arra

Një fetë bakllava e mirë nuk duhet të jetë shumë e ëmbël dhe as shumë e rëndë.

Për përgatitjen e kësaj recete (12 racione) ju nevojiten:

230 gramë gjalpë të shkrirë pa kripë

24 petë të gatshme ose të bëra vetë,

400 gramë arra dhe fistikë të grirë hollë

2 lugë çaji kanellë pluhur

Për sherbetin ju nevojiten:

450 gramë sheqer,

420 ml ujë,

Lëngu i një gjysmë limoni

Për Servirje

Fistik pluhur për ta hedhur sipër bakllavasë.

Përgatitja e Bakllavasë

Për përgatitjen e bakllavasë, si fillim duhet të ndizni furrën në 160 gradë.

Më pas nisni punën për përgatitjen e sherbetit.

Vendosni një tenxhere në zjarr dhe hidhni sheqerin. Më pas shtoni ujin dhe lëreni të valojë duke e përzier herë pas here.

Kur sheqeri të ketë shkrirë, uleni temperaturën dhe shtoni lëng limoni.

Përziejeni sherbetin shpesh për 15 minuta të tjera deri sa të trashet dhe më pas hiqeni tenxheren nga zjarri.

Vendosni një tigan në zjarr dhe hidhni gjalpin.

Ndërsa shkrihet, me të duhet të yndyrosni lehtë fundin e tepsisë ku do të piqet bakllavaja.

Më pas vendosni dy petë në tepsi dhe lyejini me gjalpë. Vazhdoni kështu deri sa të keni përdorur 12 petë, dy e nga dy të lyera me gjalpë.

Mbi petën e dymbëdhjetë do të hidhni kanellën, arrat dhe fistikët. Më pas, vazhdoni me 12 petët e tjera, të cilat duhet t’i lyeni gjithashtu me gjalpë.

Pasi tepsia të jetë shtruar plotësisht, atëherë priteni bakllavanë duke u dhënë petave formën e diamantëve të vegjël.

Futeni bakllavanë në furrë dhe piqeni për 45 minuta ose deri sa sipërfaqja e saj të jetë e artë.

Pasi të jetë pjekur, hiqeni nga zjarri dhe dalëngadalë shtoni sherbetin.

Futeni tepsinë sërish në furrë për 2-3 minuta dhe më pas hiqeni sërish dhe lëreni mënjanë.

Pasi bakllavaja të jetë ftohur, pak përpara servirjes spërkateni me fistik pluhur me ngjyrë jeshile dhe do të mahniteni nga shija fantastike e ëmbëlsirës./AgroWeb.org