Bakllava E Skuqur – Si Të Përgatisni Recetën Më Të Veçantë

803 0

Bakllavaja është ëmbëlsira më popullore jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Ballkanin.

Historianët sqarojnë se bakllavaja e parë është bërë në shekullin e 8-të para Krishtit në Mesopotaminë e lashtë.

Rrugëtimi i bakllavasë në të gjithë botën ka ëmbëlsuar shumë jetë e qytetërime të cilat e kanë pasuruar recetën në mënyra të ndryshme.

I tillë është rasti i recetës së bakllavasë së skuqur të cilën do ta zbuloni më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org.

Përgatitja e Bakllavasë së Skuqur 

Përbërësit

Për mbushjen

Treçerek filxhan çaji me fiq të thatë (ose hurma arabie)

Gjysëm filxhan çaji me arra

Çerek luge çaji me kanellë

Një lugë e gjysmë çaji me mjaltë

Pak kripë.

Për kremin me kanellë:

1 filxhan çaji me krem pana

Treçerek filxhan çaji me mjaltë

2 lugë çaji me kanellë

Për bakllavanë:

Petë të gatshme,

Vezë,

Mjaltë,

Arra të grira hollë.

Përgatitja:

Në fillim përgatisni mbushjen e bakllavasë duke i futur të gjithë përbërësit e përmendur më lart në një mikser (fiqtë e thatë, arrat, kanellën, mjaltin dhe kripën).

Përpunojini mirë deri sa të përfitoni një pastë të mirëfilltë.

Lëreni mënjanë dhe përgatisni kremin me mjaltë dhe kanellë.

Në një enë të thellë përzieni kremin pana, mjaltin dhe kanellën.

Rrihini së bashku deri sa kremi të trashet dhe të jetë i njëtrajtshëm.

Vendosni në tavolinën e kuzhinës tre petë brumi.

Prijini vertikalisht në një gjerësi prej 5 centimetrash.

Merrni gjysmë luge çaji nga mbushja, jepini formë cilindrike me duar dhe vendoseni në fillim të çdo shiriti të petëve.

Lyejini petët me vezë dhe më pas mbështillini rreth mbushjes për katër herë.

Vendosni tiganin në zjarr në një temperaturë mesatare dhe skuqini ëmbëlsirat në vaj deri sa të marrin ngjyrë të artë.

Kjo mund të ndodhë për 8-10 sekonda.

Vendosini copat e bakllavasë mbi një letër kuzhine që të përthithë vajin e tepërt.

Kremin e mjaltit dhe kanellës hidheni në një qese pastiçerie dhe servireni atë duke i dhënë formën e spirales.

Sipër kremit vendosni fetën e bakllavasë dhe spërkateni me mjaltë dhe arra./AgroWeb.org