Biskota Gjalpi Të Shkrifëta Me Bajame – Gati në 15 Minuta

1.4k 0

Biskotat e shijshme mund të konsumohen kurdo gjatë ditës.

Ju mund t’i shijoni ato në mëngjes me kafe, çaj apo qumësht për të vegjlit tuaj, por nga ana tjetër ato janë edhe ëmbëlsira perfekte për t’u shijuar pas drekës apo pasdite me të afërmit.

Recetat e tyre janë nga më të pafundmet, AgroWeb.org është munduar që çdo herë të ketë diçka të veçantë për ndjekësit e tij.

E tillë është edhe receta e sotme! Të përgatitura me gjalpë të freskët dhe me bajame të thërrmuara, këto biskota vërtet do t’ju shkrihen në gojë që në kafshatën e parë.

Ndiqni me vëmendje hapat e shpjeguar në recetë dhe në vetëm 15 minuta ju do të keni mbushur shtëpinë me aromë mahnitëse e ndjellëse e cila do të tërheqë që të gjithë pranë tryezës.

Përbërësit

2 vezë të plota dhe 1 e verdhë

150g sheqer

150g gjalpë

150g bajame të thërrmuara

lëkura e një limoni

450-500g miell

1 pako me pluhur pjekës për ëmbëlsira

Përgatitja 

Në një tas thyeni dy vezët e plota dhe shtoni edhe të verdhën tjetër. Përziejini ato me rrahësin elektrik bashkë me sheqerin derisa të krijoni një krem të plotë dhe me ngjyrë të verdhë të lehtë.

Ndërkohë shkrini gjalpin dhe pasi të jetë ftohur e dhtoni tek vezët dhe sheqeri i tretur. Shtoni tani bajamet e thërrmuara, lëkurën e limonit të cilën AgroWeb.org ju sugjeron që ta grini sa më hollë dhe përziejini mirë.

Shtojmë pluhurin pjekës tek tasi i miellit dhe shtojmë miellin pak nga pak në tasin me vezë i përziejmë mirë me dorë deri sa të na formohet një brumë paksa i trashë.

Marrim copëza brumi pa i dhënë formë të rregullt dhe i vendosim në një tepsi ku kemi shtuar letër pjekje. Vendosim tepsinë me biskota në furrë të parangrohur në temperaturë 165 gradë Celsius për 15-20 minuta sa të zverdhen./AgroWeb.org