Byrek me Brumë të Ardhur në Tigan – Gati në Pak Minuta

804 0

I shijshëm dhe i lehtë për ta përgatitur.

Kjo recetë do të kthehet në të preferuarën e të gjithë familjarëve tuaj.

Brumi i butë dhe perfekt në shije, i mbushur me qepë të njoma dhe gjizë të freskët, përbën kombinimin më të mirë që mund të imagjinoni.

Ajo që është e veçantë në këtë recetë, përveç shpejtësisë së përgatitjes së saj, është pikërisht brumi.

I përgatitur në një mënyrë ndryshe, ai i jep byrekut një formë krejt tjetër.

Përbërësit

700g miell

450ml ujë i vakët

1 lugë çaji me kripë

1 lugë çaji me majat të thatë

1 lugë çaji me limontoz

200g qepë të njoma

400g gjizë pa kripë

100g gjalpë

70ml vaj për skuqje

Përgatitja

AgroWeb.org ju sugjeron që të përzieni në një tas të vogël majanë, kripën, limontozin dhe ujin e vakët.

Përdorni një pirun që gjithçka të shkrihet plotësisht dhe majaja të aktivizohet në mënyrën e duhur.

Kur majaja të jetë gati filloni të shtoni miellin ngadalë duke përzierë mirë me pirun.

Brumi do të fillojë të lidhet, ndaj punojeni me duar derisa sipërfaqja e brumit të jetë e lëmuar.

Mbulojeni me një qese kuzhine dhe lëreni të pushojë derisa të dyfishohet madhësia e tij.

Ndërkohë AgroWeb.org ju këshillon që të përgatisni mbushjen e byrekut.

Qëroni dhe prisni në rrota të vogla qepët e njoma më pas vendosini në një tas.

Aty bashkoni gjizën dhe spërkateni me pak kripë sipas dëshirës.

Përziejeni mirë me një lugë në mënyrë që qepa të shpërndahet mirë.

Kur brumi të ketë dyfishuar madhësinë e tij, vendoseni në tavolinën e punës dhe punojeni lehtë.

Ndajeni në gjashtë kuleçë, e më pas filloni t’i hani në petë të vogla.

Lyejeni me gjalpë sipërfaqen e petës dhe hidhni disa lugë nga mbushja.

Priteni në një anë petës dhe filloni ta rrotulloni në formën e një koni.

Vendoseni bazën e konit në tavolinë dhe shtypni majën e tij.

Do keni formuar një kulaç të mbushur.

Me duar hapeni me kujdes duke e shtypur nga qendra e kulaçit në skajet e tij.

Ndërkohë keni vendosur në zjarr një tigan me pak vaj që të ngrohet.

Kur vaji të jetë gati vendosni byrekun e parë që të skuqet.

Mbulojeni tiganin me kapak dhe lëreni të marrë një ngjyrë të artë nga njëra anë.

Kur të jetë gati, kthejeni me ndihmën e një spatula, duke treguar kujdes që të mos çahet peta.

Lëreni të skuqet dhe nga ana tjetër po të mbuluar me kapak.

Përsërisni këto hapa derisa të keni mbaruar me të gjithë petët e byrekut./AgroWeb.org