Domate Të Mbushura Me Djathë – Shije Dhe Aromë Në Një Recetë

702 0

Domatet e mbushura janë ndër recetat më klasike të kulinarisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Receta tradicionale që preferohet nga amvisat shqiptare është ajo e mbushjes së domateve me oriz, megjithatë domatet mund të mbushen edhe me produkte të tjera po aq të shijshme.

I tillë është rasti i gjizës ose djathit të bardhë që plotëson dhe kombinohet më së miri me atë të domateve.

Domatet e mbushura me gjizë ose djathë janë ideale për një vakt të shijshëm dreke por edhe darke.

Ato mund të hahen veçmas ose të serviren me sallata të freskëta të stinës ose perime të pjekura.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë këtë recetë interesante e të lehtë të domateve të mbushura me gjizë ose djathë sipas preferencës tuaj.

Domate Të Mbushura Me Djathë Dhe Erëza

Kjo recetë mund të përgatitet lehtë në pak minuta dhe ka nevojë për 6 përbërës të thjeshtë.

Përbërësit:

  • 4 domate
  • Gjysmë filxhan çaji me djathë të copëtuar hollë
  • Çerek filxhan çaji me gjizë,
  • Çerek filxhan çaji me majdanoz të grirë hollë.
  • 1 lugë gjelle me vaj ulliri
  • Gjysmë luge çaji me spec djegës pluhur.

Domatet zgjidhen në formë të rregullt, të pjekura e të forta.

Lajini ato me ujë të bollshëm dhe thajini me letër kuzhine.

Më pas, prijeni pjesën e sipërme me thikë.

Merrni një lugë dhe hiqni farat dhe tulin e brendshëm.

Sigurohuni që të hapni vend mjaftueshëm për mbushjen.

Në një enë tjetër përzieni të gjithë përbërësit e lartpërmendur përveç specit të kuq pluhur.

Mbushini domatet me masën e djathit dhe gjizës dhe më pas spërkatini me pluhurin e kuq.

Këto domate të mbushura mund të serviren të pagatuara për një shije të këndshme dhe për tu servirur si garniturë kur ju duhet shumë shpejt.

Megjithatë nëse dëshironi ju mund t’i fusni ato në furrë dhe t’i piqni për 20 minuta duke përfituar një shije më të mirë./AgroWeb.org