Fatet e botës vendosen në Paris

385 0

Ndërsa Franca është në zi dhe ende nën shok e tronditur nga sulmet terroriste, jetët e biliona njerëzve në shekujt e ardhshëm janë në pikëpyetje. Liderët botërorë dhe negociues të shumtë pritet të takohen në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Paris në fund të muajit pavarësisht valës së sulmeve për të vendosur për fatet e botës, për uljen e emetimit të gazit serrë dhe politikave mbi ndryshimet klimatike. Konfirmimi që Samiti do të mbahet pavarësisht situatës në Paris, ka ardhur nga zyrtarë të lartë francezë, që nga Ministri i Jashtëm Laurent Fabius, tek vetë kryeministri francez Manuel Valls.

“Konferenca do të mbahet, pasi ky është një takim i rëndësishëm për njerëzimin”, pohoi Valls në një intervistë televizive, duke theksuar se kjo do të jetë dhe një mundësi për liderët botërorë, që të tregojnë solidaritetin e tyre me Francën pas sulmeve. Në Samit, në ditën e hapjes së konferencës 30 Nëntor -11 Dhjetor pritet të marrin pjesë rreth 118 liderë botërorë, të cilët do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje globale për të limituar rritjen e emetimit të gazit serrë. Në total numri i delegatëve pritet të shkojë nga 20.000 deri në 40.000. Në Paris do të jetë dhe Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i cili do mbajë një fjalim në hapje të Samitit. Presidenti Nishani ka mbajtur gjithmonë një qëndrim përsa i përket kërcënimit të ndryshimeve klimatike. Gjatë fjalës së tij në OKB, Presidenti nuk ka lënë pa përmendur rëndësinë jetike me të cilën duhet ta shohim këtë çështje.

“Ndryshimi i klimës nga vetë natyra e tij, është një fenomen global ku përgjegjësitë e secilit vend janë shumë të vështira për t’u atribuuar dhe veprimet e një vendi ndikojnë gjerësisht tek vendet e tjera. Ndryshimi i klimës shërben si një koeficient rreziku dhe kontribuon për përshkallëzimin e konflikteve mbi burimet natyrore, pengon zhvillimin ekonomik dhe rrit presionet mbi qeverisjen ndërkombëtare. Meqenëse ndryshimi i klimës përbën një kërcënim global, ne ndajmë besimin e palëkundur në nevojën për të luftuar ndryshimin e klimës së bashku, në vend të perspektivës së një vendi të vetëm. ”, është shprehur Presidenti Nishani.

Duke folur për mbrojtjen e mjedisit dhe kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim, Presidenti ka vënë dukje se “Shqipëria ka punuar vazhdimisht për t’i përmbushur detyrimet e saj dhe ka zbatuar një politikë të përgjithshme për mbrojtjen e mjedisit. Në përputhje me agjendën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendi im po kalon një proces të plotë reformimi, duke përfshirë përmirësimin e legjislacionit kombëtar, i cili merr në konsideratë ndryshimin e klimës.”

Shqipëria me nivele të ulëta të gazit serrë, por sërish në rrezik

Kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazeve serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2. Kjo edhe për shkak se mbi 95 për qind e energjisë elektrike në vendin tonë prodhohet nga burime hidrike edhe sepse industritë me intensitet të lartë të energjisë kanë dalë jashtë funksionit. Emetimi i gazit serrë ka rënë në mënyrë dramatike që nga koha e komunizmit, kjo dhe për shkak të amortizimit dhe mungesës së industrinë e rëndë, në veçanti industrisë metalurgjike.

Një arsye tjetër shumë e rëndësishme është se energjia e Shqipërisë në 95% të saj prodhohet nga hidrocentrale, të cilat pothuajse nuk emetojnë fare dioksid karboni. Në vitin 1990 përshembull energjia ka kontribuar me 33% të Co2 dhe me një rënie prej 16% në vitin 2000. Ndërkohë që proceset industriale kanë kontribuar me 2,6-4,9%, ndërsa emetimi i Co2 nga mbeturinat, tretësit dhe nga sektori i bujqësisë kanë kryesisht nivele të ulëta.

“Po është e vërtetë, sektori bujqësor është një kontribues i ulët në gazet serrë, pasi ne përdorim vetëm gjysmën e tokës dhe kemi një mekanizim të dobët të bujqësisë, e cila përbën 18-19% të GDP, nga 32% që ishte gjatë kohës së komunizmit. Thjesht unë nuk e shoh trendin e bujqësisë si kontribuese të gazeve serrë”, thotë për Agroweb, Abdullah Diku, ekspert mjedisi, i cili rrezikun më të madh e sheh tek ndryshimi dhe degradimi i tokës. Degradimi i tokës është identifikuar si një çështje madhore për Shqipërinë që ndikon jashtëzakonisht në cilësinë e jetës së gjithë secilit nga ne dhe ato të brezave të ardhshëm.

Ndryshimi i klimës nuk është një problem që zgjidhet me një ditë, por është një çështje që duhet parë në terma afatgjatë. Fakti që ne kemi një emetim të ulët të gazit nuk duhet të na pengojë që të marrim masa paraprake për çështjet e ndryshimeve klimatike, të cilat për fatin tonë të mirë nuk janë ende kërcënuese për të ardhmen.

Zotimi ynë për ndryshimet klimatike

Në fund të muajit shtator, Shqipëria paraqiti planin e saj të ri të veprimit të klimës në Konventën e OKB-Në kuadër të Ndryshimeve Klimatike (UNFCCC), duke u zotuar për të ruajtur të ulët emetimin e gazeve serrë nga prodhimi i energjisë elektrike dhe për ulur rritjen nga shtimi i gazit serrë në sektorë të tjerë. Kjo do të thotë ulje të emetimit të gazit serrë në 708 KT dioksidi-karboni në vitin 2030. Trajektorja e emetimit të gazit serrë bën të mundur që të ketë një kalim të butë në arritjen e 2 ton gaz serrë për frymë në vitin 2050.

Duke mos pasur të dhëna të qarta në sektorin LULUCF, që lidhet me përdorimin e tokës dhe degradimin e saj, Shqipërisë gjithashtu i rezervohet e drejta që t’i rishikojë zotimet e saj deri në vitin 2020. Kohë në të cilën do të ketë dhe të dhëna më të sakta dhe kushte më të mira teknike për përdorimin e tokës, ndryshimin e përdorimit të saj dhe në lidhje me pyjet, shpyllëzimi dhe degradimi i të cilave ka rritur nivelin e gazeve serrë në vend. Zgjidhjet ekzistojnë dhe janë të aplikueshmne nëse ndërmerren hapat e duhur nga qeveria në drejtim të ndryshimeve klimatike, për shkak dhe të ndikimit të madh që do të kenë këto ndryshime në brezat që do të vijnë. AgroWeb.org/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.