6.4 Milion Euro Kompensim për 4083 Fermerë të Përmbytur

199 0

Shqipëria, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës nuk mund të parandalojë katastrofat natyrore, por ka diçka që mund ta parandalojmë; katastrofat e vetë-shkaktuara, veçanërisht në infrastrukturë. Ky është në thelb qëllimi i Programit për Rimëkëmbjen nga Përmbytjet i BE-së dhe Qeverisë shqiptare i prezantuar në Novoselë, një prej zonave më të dëmtuara nga përmbytjet e këtij fillim-viti. Për herë të parë, Shqipërisë do t’i ofrohet një paketë me projekte mbështetëse grant nga BE-ja, si përgjigje ndaj situatës së krijuar nga emergjenca e përmbytjeve, që godi Shqipërinë në janar -shkurt 2015, me qëllim parandalimin e rrezikut nga katastrofat natyrore dhe menaxhimin e përmbytjeve, në vlerë totale prej 15.91 Milionë Euro.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, rreth 4038 fermerë shqiptarë do të kompensohen financiarisht për dëmet e shkaktuara nga dalja e lumenjve nga shtrati dhe nga rrëshkitjet e tokës. Granti do të përdoret në tre drejtime kryesore; Rehabilitim, kompensim financiar dhe grante për fermerët e dëmtuar dhe Investime për ringritjen e infrastrukturës së stallave apo serrave të dëmtuara. Projekti i rehabilitimit ka nisur të zbatohet në Bishan-Novoselë dhe synon mbrojtjen e tokave bujqësore të zonës përreth të cilat kanë qenë të përmbytura nga uji.

Lauresha Grezda, Drejtore e Integrimit Evropian dhe Projekteve pranë Ministrinë e Bujqësisë tha për AgroWeb se komponenti i dëmshpërblimit të 4083 fermerëve do të ketë një vlerë 6.4 Milion Euro kompensime direkte dhe grante. Kjo e ndarë në 3 komponentë; kompensime direkte te fermerët, Grante për investime ne formën e Skemave IPARD dhe Asistencë teknike. Kompensimet pritet të nisin në muajin Dhjetor dhe fermerët janë të identifikuar, ndërsa afati imbylljes së procesit të disbursimeve është Maj 2016.

Komponenti i rehabilitimit të infrastrukturës do të ketë një vlerë prej 6.2 Milion Euro dhe ngritja e një mekanizmi për paralajmërimin e katastrofave natyrore do të ketë një vlerë prej 2.5 Milion Euro.
Zbatimi i projektit të rehabilitimit do të ketë një impakt në përmirësimin e jetesës së rreth 160 mijë banorëve të këtyre zonave ndërsa pritet të ketë një përfim direkt rreth 20 mijë banorë, siç tha Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij në takim.

Pamje nga përmbytjet që goditën Shqipërinë në Janar-shkurt 2015. Foto: LSA

Tashmë me ndarjen e re administrative sistemi i ujitjes dhe kanalizimeve i ka kaluar pushtetit lokal dhe, për Ministrin e Bujqësisë Panariti, kjo do të rrisë efektivitetin.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Michela Matuella, pjesëmarrëse në takim, theksoi se: Kjo zonë ka pasur dëmtime të mëdha por Komisioni Evropian dha ndihmën e menjëhershme. Përveç solidaritetit me insitucionet dhe komunitetin, PNUD, Qeveria dhe Banka Botërore bashkëpunuan edhe për m&eueuml;nyrat e parandalimit të dëmeve në të ardhmen. Kjo ndihmë është materializim i angazhimit jo vetëm për të riparuar këto dëme por për të shkuar përtej. Programi prej 15 Milion euro është edhe për të rritur kapacitetet për të reaguar në mënyrë më të shpejtë dhe efikase ndaj përmbytjeve. Me anë të këtij programi synojmë të ulim në minimum rrezikun në mënyrë që të mbjellat dhe shtëpitë të mos dëmtohen.

“Nuk është mbushur ende një vit kur u bëmë pjesë e një angazhimi serioz përballë pasojave të një përmbytjeje shumë serioze”, tha Kryeministri Rama duke shtuar se: “Ne bëmë një sforco të jashtëzakonshme për të kthyer çdo krerë bagëti dhe çdo pulë. U angazhuam për marrjen e masave për të lehtësuar kreditimet e fermerëve dhe e realizuam. Tashmë do të rindërtojmë infrastrukturën me standarde të reja. Do të dëmshpërblejmë financiarisht të gjithë ata që humbën prodhimet por edhe do të financojmë ndërtimin e serrave që u shkatërruan.

Duke iu referuar përmbytjeve si fenomen jo vetëm shqiptar, Kryeministri Rama theksoi faktin se; gjatë viteve 1998-2009 Evropa pësoi mbi 213 përmbytje. Përmbytjet sjellin edhe pasoja mjedisore. Sipas Agjensisë Evropiane Mjedisore flukset vjetore të lumenjve do të rriten në Veri e do të ulen në Jug ndërsa përmbytjet më të mëdha priten në dimër dhe pranverë. Përmbytjet janë dukuri natyrore, tha ai, por ne duhet të marrim masa për të kufizuar pasojat. Në këto 25 vjet në Shqipëri është ndërtuar edhe mbi shtratet e lumenjve duke sjellë dëmë të mëdha. Ndodhemi përballë një pamundësie financiare për të gjitha të ligat që sjell çoroditja e këtyre viteve.

Shteti s’mund të bëjë gjithçka, vijoi ai. Duke sjellë në vëmendje rastin e një kompanie në Veri e cila mori çdo qindarkë të kompensimit të përmbytjeve nga kompania e sigurimit, Rama theksoi se duhet punuar fort edhe për siguracionet në bujqësi. Bashkë me BE tha Kryeministri, po mundësojmë edhe ngritjen e mekanizmave për të paralajmëruar katastrofat, ndërsa po punojmë fort për sistemet e vaditjes dhe kullimit.
Ndërsa përmbytjet janë një fenomen i paparashikueshëm, fermerëve shqiptarë përsa i përket masat parandaluese, u mbetet të shpresojnë në zotimin e Kryeministrit se: “Viti i ardhshëm do të jetë një vit historik.