Gabimet që Duhet të Shmangni në Gatimin e Përsheshit të Gjelit

1.4k 0

Përsheshi me gjel deti është një nga recetat më të dashura të cilat përgatiten gjithmonë për darkën e ndërrimit të viteve.

Përgatitja e tij në qytete të ndryshme të Shqipërisë, bëhet edhe me bukë misri.

Shija e tij është fantastike dhe mund ta shoqëroni me të gjitha sallatat e tjera.

Përveç mishit të gjelit të pjekur, përsheshi është perfekt me rosto, sallatën ruse, salcën e kosit, sallatën me turshi apo atë me perime të pjekura.

Si çdo recetë edhe përgatitja e përsheshit ka truket e veta të cilat nisin që tek pjekja e kulaçit.

Të gjitha sekretet, AgroWeb.org jua zbulon në këtë artikull.

Pjekja e Duhur e Kulaçit

Kulaçi është një nga përbërësit kryesorë të përsheshit dhe si i tillë ai mban dhe peshën më të madhe të recetës.

AgroWeb.org ju sugjeron që të tregoni kujdes tek pjekja e tij por jo vetëm.

Për të parë nëse kulaçi është pjekur siç duhet edhe brenda, bëni provën me thikën.

Merrni një thikë dhe shponi mesin e kulaçit, nëse sipërfaqja e saj del e pastër atëherë brumi është pjekur.

Pasi ta keni pjekur kulaçin duhet ta lini të ftohet.

Kështu ai do të ketë kulluar siç duhet dhe brumi i tij nuk do të ngelet i mbledhur, por do të jetë poroz.

Skuqeni Kulaçin me Gjalpë

NJë hap shumë i rëndësishëm për përgatitjen e përsheshit është edhe skuqja e kulaçit.

Pasi ta keni copëtuar kulaçin duhet ta skuqni patjetër me gjalpë të freskët.

Sigurohuni që ta skuqni derisa kulaçi të marri një ngjyrë të artë.

Kini kujdes të mos e digjni, ose ka lini të pa skuqur pasi ndryshe përsheshi nuk del siç duhet.

Nëse e skuqni më shumë kulaçin, përsheshi do të mbetet i fortë dhe me shije jo të mirë.

Nga ana tjetër nëse nuk e skuqni sa duhet përsheshi do të zbutet më shumë duke u bërë i ujshëm.

Gjalpi, Element Thelbësor

Ndonjëherë duke menduar se përsheshi do të marrë yndyrën e duhur nga lëngu i gjelit të detit, nuk i hedhim gjalpë aq sa duhet.

AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni pikërisht aq gjalpë sa ju përcakton receta.

Gjalpi është përbërësi që mundëson skuqjen e duhur të kulaçit si dhe i jep shijen e mirë dhe aromën e fortë karakteristike.

Lëngu i Gjelit të Detit

Pasi ta keni skuqur kulaçin, të keni shtuar petat dhe arrat është pjesa kur duhet t’i bashkoni me lëngun e gjelit të detit.

Kini kujdes të mos e teproni me sasinë e tij pasi më pas përsheshi do të dalë i lëngshëm dhe do t’i ngjasojë qullit.

Nga ana tjetër, nëse hidhni më pak lëng mishi, përsheshi nuk do të zbutet mirë, e do të ngelet i thatë dhe i fortë./AgroWeb.org