Kompostoja e Ftoit – Receta e Ëmbël e Vjeshtës

656 0

Kjo ëmbëlsirë ftoi kombinohet shumë mirë me ushqimet e kripura, pikante por edhe me akulloret.

Ftonjtë me të drejtë cilësohen si xhevahirët e artë të vjeshtës e dimrit.

Shumë të shijshëm, me aromën e tyre speciale dhe  athtësinë emblematike që i karakterizon ftonjtë janë frutat që përshtaten më së miri në receta të ndryshme tradicionale shqiptare.

Kush ka provuar dhe nuk është magjepsur pas prevedesë së ftoit, reçelit të përgatitur prej tij apo shurupit fantastik.

Por ka dhe një recetë tjetër, të dashur, të ëmbël që surprison me shijen e saj fantastike dhe ajo është Komposto e Ftoit.

Nëse ftoi hyn në frutat tuaja të preferuara, atëherë me siguri që do ju pëlqejë kjo recetë e AgroWeb.org e cila ju tregon për një mënyrë fort të shijshme të të bërit komposto.

Kjo ëmbëlsirë ftoi kombinohet shumë mirë me ushqimet e kripura, pikante por edhe me akulloret.

Jo vetëm shije por edhe vlera

Ftoi është një frut i pasur në vlera. Ai ka aftësinë të parandalojë shfaqjen e radikaleve të lira, të ndihmojë në humbjen në peshë, të përmirësojë shëndetin tretës, ulë kolesterolin, forcojë sistemin imunitar, parandalojë sëmundjet e stomakut dhe të sistemit tretës, zbusë inflamacionin dhe përmirësojë shëndetin e lëkurës.

Për më tepër, ftoi ul tensionin e gjakut, parandalon reagimet alergjike dhe stimulon qarkullimin në sistemin kardiovaskular.

Si ta përgatisim – Mrekullia e Ftonjve Komposto

Përbërësit

Lëngu i dy limonëve

4 ftonj ose 1 kg fruta

500g sheqer

300ml verë e bardhë

1 spec i vogël, i kuq djegës

1 gjethe dafine

2 fara karafili

1 shkop kanelle i ndarë në gjysmë

Përgatitja

Hidheni lëngun e limonit në një enë të mbushur me ujë. Qëroni, pastroni dhe prijini ftonjtë në feta të trasha. Ndajeni lëkurën dhe farat mënjanë. Vendosini frutat në ujin me limon që të parandaloni nxirjen e tyre.

Në një tenxhere hidhni sheqerin, verën dhe 200 ml ujë. Vendoseni atë në zjarr mesatar dhe përziejeni vazhdimisht për të përshpejtuar shkrirjen e sheqerit.

Pasi të ketë zier, hidhni lëkurat dhe farat. Uleni temperaturën dhe vazhdoni zierjen për 20 minuta ose deri në momentin që shurupi të ketë marrë një ngjyrë të artë me nuanca rozë.

Kullojeni shurupin dhe hidheni në një tenxhere tjetër ku duhet të shtoni fetat e ftoit, specin djegës, karafilin, dafinën dhe kanellën.

Ziejini së bashku në temperaturë mesatare për 20-30 minuta derisa frutat të zbuten. Përziejini herë pas here. Koha e zierjes varet nga fortësia e ftoit. Komposton mund ta servirni pas ftohjes./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.