Krem Me Gështenja Dhe Çokollatë

922 0

Vjeshta tashmë ka mbërritur me ngjyrat e saj të ngrohta e disi melankolike, me ditët më të shkurtra, gjethet e zverdhura që bien duke lënë pemët lakuriq dhe atë erë dehëse të gështenjave të pjekura që përshkon rrugët e qytetit.

Gështenja është në thelb simboli i vjeshtës, me gjemba nga jashtë, por kaq e ëmbël dhe e butë nga brenda.

Mbretëresha e padiskutueshme e shumë prej recetave të kësaj stine! Atë mund ta zieni, piqni, ta shtoni në supë, salcë ose ta bëni krem ashtu si në recetën e somte.

Çokollata dhe gështenjat janë një kombinim i mrekullueshëm, dy shije që arrijnë të përzihen në mënyrë të përsosur, duke u shndërruar në një krem plot shije dhe një kënaqësi absolute për nepsin tuaj.

Ju mund ta përdorni këtë krem në mënyra të shumta, si një ëmbëlsirë në fund të një vakti, duke mbushur me të ëmbëlsira nga më të ndryshmet ose duke e shoqëruar me një fetë buke në mëngjes.

AgroWeb.org ju fton të mësoni më poshtë hapat që duhet të ndiqni për të përgatitur këtë recetë fantastike.

Përbërësit

500 gr gështenja

200 gr çokollatë e zezë

2 lugë gjelle kakao pa sheqer

200 gr sheqer

2 filxhanë me kafe të hidhur

1/2 filxhan liker

Përgatitja

Pasi të keni larë gështenjat me ujë të rrjedhshëm, bëni një prerje në lëvozhgë me thikë dhe ziejini për rreth 40 minuta.

Mbasi të ziejnë kullojini dhe qërojini me kujdes me anë të një thike, ndërkohë që janë ende të nxehta.

Me anë të një piruni filloni t’i shtypni mirë gështenjat derisa të përftoni një masë pureje.

Transferoni purenë e gështenjës në një tenxhere të madhe, shtoni sheqerin dhe 150 ml ujë.

Gatuajeni në zjarr të ngadalë për rreth 10 minuta, derisa të përftoni një masë kremoze.

Më pas kalojeni në një mikser dhe përpunojeni derisa kremi të bëhet më i butë dhe homogjen.

Ndërkohë zieni kafenë dhe në të shkrini çokollatën e zezë, këtë përzierje shtojani kremit të gështenjës.

Vazjdoni duke shtuar kakaon edhe likerin dhe përziejini derisa përbërësit të bashkohen.

Nëse pureja është shumë e fortë, shtoni pakëz qumësht për ta zbutur.

Por nëse është shumë e lëngshëme, shtoni edhe pak kakao.

Kremi me gështenja dhe çokollatë është gati për t’u trafseruar në kavanoz. Pasi ta mbyllni mirë kavanozin, kthejeni atë përmbys dhe lërëni të ftohet.

Kur kavanozi të hapet, kremi duhet të mbahet në frigorifer jo më shumë se dy javë.

Para se ta përdorni, lëreni kavanozin në temperaturën e dhomës për disa minuta./AgroWeb.org