Kuleçë të Ëmbël Shtëpie – Receta e Ngrohtë me Aromë të Mrekullueshme

891 0

Aromë e mirë dhe butësi e jashtëzakonshme, këto janë dy karakteristikat e para që të vijnë në mendje kur përmendet brumi i kuleçëve.

Me forma nga më të ndryshmet, por me një shije që nuk ngatërrohet me asgjë tjetër, kuleçtë si ata të ëmbël apo dhe ata të kripurit janë të mrekullueshëm.

Në prag dimri mund të themi që janë zgjidhja ideale për të kaluar disa vakte të ngrohta.

Prandaj në recetën e sotme nga AgroWeb.org, ju shpjegojmë një mënyrë  të thjeshtë se si mund të përgatisni vetë në shtëpi kuleçë të ëmbël e të butë.

Ndiqeni si më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së këtyre delikatesave të vogla të kuzhinës.

Përbërësit:

60 ml ujë i nxehtë

3 lugë gjelle maja buke

100 gr sheqer

400 gr miell

1 lugë çaji kripë

300 ml qumësht

60 ml gjalpë i shkrirë

Përgatitja:

Për të nisur me këtë recetë nga AgroWeb.org, filloni duke shkrirë majanë e bukës tek uji i ngrohtë dhe lëreni të fryhet për 5 minuta në një ambient të ngrohtë.

Më pas në një enë të thellë hidhni miellin, pak kripë, sheqerin, qumështin dhe gjalpin e shkrirë.

Punoni brumin me duar dhe hidhni edhe majanë e bukës, vazhdoni derisa brumi të formohet i plotë dhe pa kokrriza.

Kalojeni atë në një tavolinë punë dhe punojeni vazhdimisht, derisa të jetë i plotë dhe të mos ngjisë.

Vendoseni sërish tek ena e thellë dhe mbulojeni me një peshqir apo napë, duke e lënë të fryhet në temperaturë ambienti për rreth 1 orë.

Kur të shikoni që është gati, vendoseni në një tavolinë pune të drejtë, hidhini pak miell dhe ndajeni me thikë ose me duar në 12 pjesë të vogla.

Punojini të gjithë me duar derisa të arrini në formë rrumbullake, duke i lyer me pak miell herë pas here.

Zgjidhni një tavë mesatare, shtrojeni me letër pjekje dhe vendosni kuleçët tuaj sipas radhës, duke lërë pak hapësirë mes tyre.

Mbulojini sërish me një peshqir ose napë dhe lërini për 40 minuta tek tava.

Ndërkohë ndizni furrën në temperaturën 190 gradë dhe pasi të kalojnë 40 minutat, futeni tavën në furrë dhe lërini kuleçët të piqen për 15-20 minuta.

Lërini të piqen derisa të marrin pamje të artë në sipërfaqe dhe më pas mund t’i nxirrni nga furra.

Sipas dëshirës mund t’i lyeni me pak gjalpë të shkrirë teksa janë endë të nxehta për një shije më të veçantë.

Kur të jenë ftohur pak shërbejini shoqëruar me reçel apo pak mjaltë.

Kuleçët tuaj shumë të shijshëm, ruajini të mbuluara në temperaturë ambienti për 2-3 ditë ose në frigorifer për 1 javë./AgroWeb.org