Të gatuara në receta të ndryshme ëmbëlsirash, dardhat janë ndër frutat më të preferuara të recetave të amvisave shqiptare.
Janë të njohura tashmë recetat e shijshme të marmalatës së dardhës, reçelrave të ndryshëm, kekëve me dardhë, kompostove apo shurupit të tyre.
Por një recetë krejt unike, e thjeshtë në përgatitje e shumë e shijshme që të kënaq oreksin dhe nepsin janë dardhët e pjekura në furrë.
Të kombinuara me arra, kanellë e mjaltë apo edhe me të tjerë përbërës si karafila a fruta të thatë, shija e përftuar nga kjo recetë është perfekte, mbresëlënse.
Kjo recetë është fantastike për të mbyllur vaktet e drekës apo darkës por sigurisht është po aq fantastike për t’u shijuar në çdo kohë të ditës duke dhuruar një ëmbëlsi të lehtë, natyrale.
Më poshtë do të gjeni recetën nga AgroWeb.org për përgatitjen e dardhëve të pjekura në furrë.
Përgatitja e Dardhëve të Pjekura me Arra dhe Mjaltë
Përbërësit
(Sasia e dardhëve përzgjidhet në bazë të numrit të personave në familje)
Dardhë
Mjaltë
Arra
Pak sheqer
Kanellë, fruta të thata ose karafila (Sipas dëshirës)
Përgatitja – Shpejt dhe Lehtë
Pastrojini mirë dardhët me ujë të bollshëm dhe thajini me një pecetë kuzhine.
Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të prisni pjesën e sipërme të dardhës dhe me ndihmën e një luge largoni farat.
Më pas, secilën prej dardhëve lyejeni me pak sheqer nga të gjitha anët dhe tek pjesa e brendshme që kemi hapur hedhim disa arra të thërmuara.
Vendosini me radhë në një tavë ku kemi shtruar më parë letër pjekjeje.
I pjekim në furrë me temperaturë 200 gradë përreth 20-30 minuta.
Pasi dardhët të jenë karamelizuar i heqim nga furra dhe i spërkasim me mjaltë.
Sipas preferences mund t’i spërkasim me pak pluhur kanellë ose fruta të thata apo disa karafila.
Kjo ëmbëlsirë shërbehet e ngrohtë por edhe ftohtë me akullore ose kekë të ndryshëm./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje