Mos Ma Prek Valbonën

583 0

#mosmaprekvalbonën. Është thirrja e fundit. Është një hashtag, thënë në gjuhën e rrjeteve sociale, një apel që po jehon gjithnjë e më shumë mes shqiptarësh dhe të huajsh, që e duan vërtet natyrën. Nesër, në 25 Qershor në oren 9.00 para dyerve e Ministrisë së Energjitikës në Tiranë, mbështetës të ruajtjes së thesarit të Luginës së Valbonës do të mblidhen për t’i thënë ‘ndal’ ndërtimit të 11 hidrocentraleve që janë planifikuar përgjatë këtij lumi të mahnitshëm, duke shpresuar reagim nga Qeveria Shqiptare.

“Kjo protestë është vërtet hapi i madh final për të kërkuar vëmendje. Më pas, do të fokusohemi në procedurat ligjore dhe do të kërkojmë edhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar” – tha për AgroWeb, njëra prej aktivisteve kryesore, Catherine Bohne.

Sipas organizatorëve; Toka-Organizata për mbrojtjen e Alpeve shqiptare, Eco Albania dhe Fondi Botëror për Natyrën, tre janë arsyet kryesore të protestës.

Në aspektin mjedisor, HEC-et do të shkatërrojnë zonën, duke vendosur pjesën më të madhe të lumit dhe degë të tij në tuba me gjerësi 2.5-3m. Shkatërrimi i lumit, jo vetëm që do të sjellë dëme afatgjata të mëdha e të pariparueshme, por ndërtimi i HEC-eve dhe kullave gjigante të tensionit, do të shkatërrojë dhe pjesën më të madhe të zonës përreth saj.

Ndërtimi i qoftë edhe një prej këtyre projekteve (Kaskada e Dragobisë) do të shkatërronte totalisht shpatin lindor të Malit të Kollatës duke ndërtuar një tunel 3 metra të gjerë. Kallata është pjesë e majave më të larta, një prej destinacioneve më të lakmuara për të apasionuarit pas lartësive. Kjo do të shkatërronte gjithashtu Luginën e Çeremit, duke dëmtuar të gjithë qarkullimin e lumit. Do të shkatërronte shpatin jugor të Malit të Gjarprit, e po ashtu edhe fermat e banorëve, tokat dhe shtëpitë. Do të ishte fundi i eko-turizmit, i cili është tërësisht i bazuar në ofrimin bujar të natyrës së virgjër.

Në nivelin ekonomik, shndërrimi i një prej zonave më të paprekura të Evropës në një zonë industriale do të shkatërrojë zhvillimin e industrisë së turizmit. Këto hidrocentralë kanë secili kapacitet prej vetëm 15 MW dhe kjo do të thotë se nuk sjellin ndonjë ndryshim në shtimin e prodhimit të energjisë elektrike. Nuk sjellin as ndonjë kontribut domethënës në ekonominë e komunitetit, nëse do të vihen në punë.

Planet e prodhimit të Dragobia Energy bazohen në prurjet prej 12.6 metër kub për sekondë, ndërkohë që në studimet e tyre të mëparshme ata shprehen që prurjet e lumit janë maksimumi 7 metër kub në sekondë gjatë një muaji në vit ndërkohë që në pjesën tjetër të vitit, prurjet zbresin në 3 metër kub për sekondë. Sipas ekspertëve, ndër të tjera, HEC-et do sigurojnë vetëm një punësim të ulët dhe përfitime modeste financiare për një periudhë jo të gjatë.

Në aspektin ligjor, sipas organizatorëve të protestës, projektet kanë injoruar ose shmangur ligjin shqiptar. Kompania ndërtuese pretendon se ka marrë miratimin e banorëve të zonës. Por banorët thonë se lista është e manipuluar, madje në të ka emra të personave që kanë vdekur prej kohësh. Catherine, në një intervistë të mëparshme për AgroWeb pohoi se është krejt e qartë se licensat dhe lejet e ndryshme nuk janë dhënë bazuar në cilësinë e aplikimeve të dorëzuar nga kompanitë e interesuara për këto hidrocentrale.

Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis jo vetëm që nuk përmend pasojat negative që vijnë nga këto projekte (gjë që është e pamundur), por shpalos edhe një mungesë absolute njohurish në lidhje me biodiversitetin, ndërsa as nuk përmend faktin që bëhet fjalë për një ‘Zonë të Mbrojtur’ prej 20 vitesh.

Kontratat e konçensionit për ndërtimin e hirdocentraleve në Luginën e Valbonës datojnë në vitet 2009-2013. Shumë mbrojtës të mjedisit i janë bashkuar banorëve të zonës në një fushatë të gjerë për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve mbi këtë pasuri natyrore. Ata shpresojnë që Ministria e Energjitikës të anullojë kontratat, edhe pse ekziston risku që kompanitë e licensuara të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe është deklaruar pak kohë më parë kundër ndërtimit të hidrocentraleve. ‘Nuk e duroj dot alibinë se nuk prishim dot kontratat se na dërgojnë në arbitrazh.’ është shprehur zoti Braçe, duke shtuar se ka paligjshmëri pafund në atë kontratë, ka shkelje pa fund në zbatimin e asaj kontrate.

Banorët e Luginës së Valbonës, Çeremit dhe Gashit kanë hartuar një peticion dhe madje i kanë drejtuar një letër Kryeministrit, duke i kërkuar atij të kryesojë betejën për të ndaluar zhvillimin e parqeve hidroenergjitike në zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

‘Është një nga vendet më mahnitëse të botës, që kam pasur fatin ta shoh, t’i ndjej e t’i thith ajrin e pastër, të mbushem me frymë e t’i shijoj gjithçka të mrekullueshme që ka’, një publiciste ruse përshkruan Luginën e Valbonës, Por ndërtimi i hidrocentraleve do të ishte fundi i kësaj bukurie mahnitëse. Ndaj lereni lumin të vërshojë i lirë në rrjedhën e tij. Mos e prekni Valbonën!/AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.