Për Gjithë Vitin – Si Të Thani Mirë Qershitë Në Kushtet E Shtëpisë

1.4k 0

Qershitë janë një ndër frutat më të shijshme të stinës së ngrohtë. Mirësinë e tyre mund ta shfrytëzoni duke i ngrënë ato të freskëta ose duke i tharë dhe ruajtur për gjithë vitin.

Qershitë e thata, me ngjyrën e tyre të kuqe të thellë, shijen e ëmbël me nuancë hidhësie, janë një shtesë plot shije e ushqimeve tuaja.

Për tharjen e qershive mund të përdorni një furrë ose të shfrytëzoni nxehtësinë natyrale të diellit.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të përdorni me efikasitet metodat e duhura për tharjen e qershive.

Si Të Thani Me Mjeshtëri Qershitë Në Kushtet E Shtëpisë

Zgjidhni qershitë tuaja të preferuara dhe sigurohuni që ato janë të freskëta dhe me lëkurë të lëmuar e pa njolla.

Lajini me ujë të ftohtë dhe hiqini bishtat.

Më pas ndajini në gjysma dhe hiqni bërthamat.

Pas heqjes së bërthamave, vendosini qershitë mbi një letër kuzhine që të thahen nga uji i tepërt.

Kur ato të jenë tharë, vendosini mbi letrën e pjekjes duke lënë hapësirë nga njëra tjetra.

Nëse do t’i thani në furrë, atëherë temperature duhet të jetë 70 gradë.

Tharja duhet bërë për 3 orë, ose deri sa pjesa e tulit të qershisë të rrudhoset dhe të humbasin sasinë e ujit.

Më pas uleni temperaturën në 50-60 gradë dhe lërini të thahen për 16 deri në 24 orë.

Do të kuptoni që qershitë janë tharë në momentin që ato do t’i ngjajnë stafidheve, rrushit të thatë.

Pamje e qershive të thata krahas atyre të freskëta. Foto: Flickr

Kokrrat e qershive të thata duhet të jenë të forta por lehtësisht të përtypshme.

Provoni të shtrydhni me gishtërinj qershitë e thara.

Prej tyre nuk duhet të dalë lëng, përndryshe tharja nuk është e përfunduar.

Nëse dëshironi t’i thani qershitë në diell, proçedura është pothuajse e njëjtë.

Pas larjes dhe tharjes me letër kuzhine, vendosini qershitë nëpër tepsi duke u mundësuar hapësirën e duhur.

Mbulojini me një napë të pastër dhe lërini në diell për 2 deri në 4 ditë.

Tharja e tyre varet tërësisht nga temperatura dhe lagështia, ndaj duhet t’i kontrolloni herë pas here.

Pasi të jenë tharë vendosini në furrë në një temperaturë prej 160 gradë dhe jepuni tharjen përfundimtare për 30 minuta.

Tharja e fundit në furrë mundëson edhe shkatërrimin e baktereve të mundshme që mund të jenë formuar gjatë qëndrimit në diell.

Vlerat e Qershive të Thara

Pamje e qershive të cilat e kanë përfunduar procesin e tharjes. Foto: Flickr

Qershitë janë një burim i mirë bakri, një mineral thelbësor që ndihmon në prodhimin e kolagjenit që i mban indet të forta.

Bakri mbron indet nga radikalet e lira dhe ndihmon qelizat të prodhojnë energji. Në një çerek filxhani me qershi gjenden 92 mikrogramë bakër ose 10 përqind të dozës së rekomanduar ditore.

Përfitimet e vitaminës C

Qershitë e thata shumëfishojnë dozat e vitaminës C të nevojshme për organizmin.

Në një çerek filxhani me qershi të thata gjenden 8 miligramë vitaminë C ose 11 dhe 9 përqind të dozës së rekomanduar ditore për femrat dhe meshkujt.

Vitamina C forcon prodhimin e kolagjenit dhe shërben si mburojë nga radikalet e lira. Nëse merrni mjaftueshëm vitaminë C, indet dhe qelizat do të rriten dhe zhvillohen duke përmirësuar shërimin e organizmit pas lëndimit.

Përfitimet e vitaminës A

Një çerek filxhani me qershi të thata përmban 1,132 njësi (njësi matëse) të vitaminës A e cila mbështet zhvillimin e qelizave të reja, përmirëson shërimin dhe funksionin imunitar.

Kjo plotëson 38 përqind të dozës së rekomanduar ditore për meshkujt dhe 49 përqind për femrat. Kjo vitaminë përmirëson shëndetin e syve dhe ushqen lëkurën./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.