Pure Kremoze me Kungull – Mënyra e Saktë e Përgatitjes

749 0

Nëse ka gatim që identifikon ardhjen e stinëve të ftohta, padyshim që janë ato me kungull.

Një perime shumë e dashur, por e munguar për gjatë gjithë stinëve të ngrohta.

Tradita Shqiptare është shumë familjare me gatimet me bazë kungulli e ndër më të njohurit është byreku me kungull, me sheqer ose kripë.

Kjo shije e veçantë është po aq e shëndetshme dhe me vlera për organzimin. Kungulli është në listën e superperimeve pasi, përmban një sërë vitaminash e mineralesh.

Ndaj përfitoni nga rasti dhe përgatisni një tjetër recetë të mrekullueshme me kungull, sipas këshillave të AgroWeb.org.

Pureja kremoze e kungullit ka një shije më të veçantë se ajo e patateve dhe është perfekte për të shoqëruar çdo pjatë.

Përbërësit

1 kg kungull

120 ml qumësht

40 gr gjalpë

1 majë luge çaji kripë

1 lugë çaji pluhur speci ose piper i kuq

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të pastroni mirë kungullin nga farat.

Më pas priteni në copa të mëdha dhe futeni të piqet në furrë të mbështjellë me letër kuzhine.

Piqini të gjithë copëzat në një tavë për 20 minuta në temperaturën 200 gradë C.

Pasi kungulli të jetë zbutur, nxirreni nga furra, hidhni letrën dhe filloni ta prisni në katrorë të vegjël ose mesatarë.

Mos harroni të hiqni edhe lëkurën e kungullit teksa e prisni atë.

Të gjithë copat futini në një mikser, shtoni pak pluhur speci ose piper, kripë dhe qumështin pak nga pak.

AgroWeb.org ju këshillon që të mos e hidhni të gjithë qumështin menjëherë në mënyrë që të shikoni hap pas hapi trashësinë e puresë.

Nëse kungulli nuk arrin të shkrihet i gjithi në mikser shtoni sërish edhe pjesën tjetër të qumështit, duke bërë kujdes që pureja të mos jetë shumë  e lëngshme.

Kur kungulli të ketë marrë formën e puresë, hidheni në një tigan të thellë ose tenxhere bashkë me gjalpin dhe lëreni në zjarr.

Lëreni të gatuhet në zjarr të ulët derisa gjalpi të shkrijë plotësisht dhe pureja juaj të fillojë të ziejë nga pak.

Provojeni për kripë dhe sipas dëshirës mund të shtoni sërish.

Kur të shikoni që është gati hidheni nga zjarrin dhe shërbejeni sipas dëshirës me shoqëruar me pjata mishi./AgroWeb.org