Reçel me Gështenja, Ndijesia e Veçantë Shqiptare

1.4k 0

Reçel me gështenja, kremoz me ëmbëlsi unike, i plotë në shije dhe me aromë të freskët.

Gështenjat rrëfejnë gjithnjë të mirat e stinës së vjeshtës.

Ato janë shumë të dashura për konsumatorët.

Gështenjat janë pjesë e pandashme e mbrëmjeve të kaluara në mal nën përkëdhelitë e zjarrit, apo me familjen në shtëpi duke ndarë kujtime apo bërë plane për të ardhmen.

Gështenjat konsumohen të ziera ose të pjekura por edhe si reçel, një ëmbëlsirë fantastike që shoqëron kekun me çokollatë apo thjesht një bukë të thekur në mëngjes.

Reçeli me gështenja është kompakt si pureja dhe përhapet mjaft thjeshtë mbi një fetë bukë.

Por ky reçel është i një kategorie superiore ndaj përdoret edhe si shtresë ëmbëlsirash me mollë, akullore apo biskota super të shijshme.

AgroWeb.org u përcjell më poshtë recetën unike të përgatitjes së këtij reçeli krejt lehtë në shtëpi.

Receta e Reçelit të Gështenjës

Përbërësit:

1.5 kilogramë gështenja të freskëta

Lëkura e një limoni të madh

800 gramë sheqer pluhur

200 ml ujë

Përgatitja:

Hiqni lëkurën e gështenjave me kujdes.

Vendosini në një tenxhere bashkë me lëkurën e limonit.

Hidhni ujë dhe pasi të kenë marrë një valë, lërini të ziejnë për një orë deri sa të zbuten.

Hiqini gështenjat një e nga një nga uji i nxehtë dhe më pas qëroni lëkurën e brendshme.

Gështenjat duhet të jenë të ngrohta në mënyrë që lëkura të hiqet lehtë. Hidhini në një kullesë dhe lërini mënjanë.

Merrni një tenxhere të pastër dhe hidhni sheqerin dhe ujë.

AgroWeb.org u sugjeron që t’i përzieni vazhdimisht në temperaturë mesatare deri sa të shkrihet sheqeri.

Më pas shtoni gështenjat.

Lërini të ziejnë për 25 minuta duke i përzier herë pas here.

Përzierja parandalon edhe ngjitjen e masës në tenxhere.

Reçelin pasi të jetë gati hiqeni nga zjarri, lëreni të ftohet dhe hidheni në kavanozë të sterilizuar.

Vendosini kavanozët në një vend të thatë dhe të freskët.

Nëse dëshironi të ruani gështenja për konsum të mëvonshëm, mund t’i fusni në ngrirje të paketuar në një qese plastike.

Pasi t’i keni futur në qese, lidheni fort dhe përpiquni që qesja të ketë sa më pak ajër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.