Receta e Shpejtë e Lakrës së Shtruar në Tigan

977 0

Lakra është një nga ato ushqime me të cilën ju mund të përgatisni shumë receta të shijshme, duke filluar nga ato më të vështirat e deri tek ato më të thjeshtat, si lakra e shtruar në tigan me të cilën AgroWeb.org ju njeh sot.

Kjo është pjatë e lehtë dhe e shpejtë, e përkryer për t’u përgatitur gjatë dimrit dhe për të shoqëruar gatime të ndryshme të mishit.

Për të përgatitur këtë recetë do t’ju duhen shumë pak përbërës, në këtë recetë janë përdorur qepë dhe ullinj, por ju mund t’a pasuroni këtë gatim në shumë mënyra.

Për shembull ju mund të përdorni proshutë, një majë speci djegës dhe qepë të freskëta.

Lakra e shtruar në tigan është gjithashtu e shkëlqyer për mbushjen e një byreku të shijshëm, mjafton të eksperimentoni dhe të zbuloni sa e thjeshtë është përgatitja e saj.

Përbërësit

600 gr lakra

50 g ullinj

50 g qepë të arta

3 lgj vaj ulliri ekstra i virgjër

100 ml lëng perimesh ose ujë

Kripë dhe piper i zi për shije

Përgatitja

Për të përgatitur këtë recetë, fillimisht qëroni qepën, grijeni imët dhe e lëreni mënjanë.

Kaloni tek lakra. Hiqni çdo gjethe të jashtme të dëmtuar, pastrojeni mirë me ujë të rrjedhshëm dhe priteni në gjysmë me një thikë të mprehtë.

Më pas priteni në shirita, duke hequr pjesën qendrore që është e fortë.

Në një tigan të madh hidhni vajin e ullirit ekstra të virgjër dhe qepën dhe kaurdiseni në zjarr mesatar më pas aty shtoni lakrën.

Hidhni lëngun e nxehtë të perimeve ose ujë, mbulojeni me kapak dhe lëreni në zjarr për 10 minuta, duke e përzier herë pas here.

Më pas shtoni kripë dhe piper sipas shijes, hidhni ullinjtë dhe vazhdoni zierjen derisa lëngu të avullojë.

Shërbejeni lakrën të nxehtë dhe spërkateni me piper.

Këshilla

Lakra mund të ruhet për disa ditë në frigorifer.

Shtoni një majë luge piper të kuq gjatë skuqjes së qepës! / AgroWeb.org