Një recetë e mrekullueshme, me përbërës që gjenden në kuzhinën e çdo amvise dhe me një shije unike që shoqëron në mënyrë të shkëlqyer çdo gatim në tryezë.

Më poshtë do të mësoni nga AgroWeb.org recetën fantastike të përgatitjes së salcës së fasuleve vetë në shtëpi.

Për këtë recetë mund të përdorni të gjitha llojet e fasuleve që dëshironi, të bardha, të kuqe apo edhe të zeza.

Përbërësit 

500 gr fasule

1 filxhan çaji salcë domateje

2 karrota

1 lugë gjelle kripë (jo të mbushur plotë)

Piper i zi

Vaj ulliri

Uthull Molle

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që një natë më parë të vendosni fasulet në një enë me ujë, duke qendruar në ujë përgjatë gjithë natës fasulet do të zbuten dhe do të ziejnë shumë lehtë.

Ditën tjetër, kullojini fasulet nga uji, hidhini në një tenxhere. Shtoni aty edhe përbërësit e tjerë, kripën, salcën e domates, karrotat e grira, piperin. Vajin e ullirit dhe uthullën lëreni për në fund.

Hidhni ujë derisa fasulet të mbulohen dhe vendoseni të zjejë në tenxhere me presion.

Lëreni derisa fasulet të pijnë ujin dhe të zbuten tërësisht.

Gjatë zierjes kontrollojeni herë pas here në mënyrë që fasulet të mos digjen.

Nëse është e nevojshme shtoni edhe ujë tjetër derisa të fasulet të ziejnë plotësisht.

Pasi të jenë zbutur plotësisht, largojini nga zjarri dhe nëse kanë akoma ujë, kullojini dhe ruani në një gotë lëng për ta përdorur më vonë. Në të kundërt përdorni një gotë me ujë.

Kalojeni të gjithë masën në një mikser derisa të përgatiten një salcë e plotë kremoze. Transferojeni në një tas apo enë tjetër dhe shtoni aty pak nga lëngu i fasuleve që keni zierë, 2 lugë vaj ulliri dhe 1 lugë gjelle uthull.

Salca duhet të jetë në trashësinë e puresë së patateve apo salcës së kosit.

Përzieheni masën në mënyrë që salca të njëtrajtësohet me vajin dhe uthullën.

Kur ta servirni sipas dëshirës mund ta spërkasni me disa pika vaj ulliri, apo erëza të ndryshme si rigon, majdanoz apo nenexhik./AgroWeb.org