Sekretet E Shefave Të Kuzhinës Për Pjekjen E Patates

772 0

Pjekja e patates në furrë tingëllon si gjëja më e lehtë në botë, por kjo nuk e bën këtë perime të nëntokës si më të shijshmin vakt që keni gatuar.

Shefat më në zë të kuzhinës thonë se metodat e pjekjes së patates janë shumë të larmishme që do të thotë se gatimi i saj nuk ka përse të jetë i mërzitshëm.

Si Ta Gatuani Pataten Në Furrë Në Mënyrë Perfekte

Patatja e pjekur siç duhet duhet të jetë krokante nga jashtë dhe e butë si pambuk për brenda.

Për një vakt më të pasur, ekspertët këshillojnë mbushjen e patates me speca djegës, krem djathi, qepë, ullinj, domate e shumë të tjera.

Rregullat e Arta Të Pjekjes së Patates

Ekspertët, të cilueve u referohet AgroWeb.org sugjerojnë se nëse dëshironi të gatuani një vakt shumë të shijshëm e plot fantazi me patate të pjekura të ndiqni këto rregulla:

Përmasat e patateve që do të piqni duhet të jenë të ngjashme ose të njëjta.

Furra duhet ndezur gjithmonë përpara pjekjes në temperaturë 200 gradë.

Patatet duhen larë dhe fërkuar fort me ujë të bollshëm dhe sfungjer të pastër për të larguar të gjitha papastërtitë.

Pas larjes, patatet duhen tharë me letër kuzhine.

Më pas, duhet t’i lyeni patatet me vaj ulliri. Kjo yndyrë e shëndetshme do e bëjë lëkurën të shijshme dhe krokante.

Pasi t’i keni lyer të gjitha patatet me vaj, spërkatini me kripë dhe vendosini në skarën e furrës.

Patatet duhet t’i piqni për rreth 45-60 minuta.

Për të kuptuar nëse janë pjekur, shpojini me majën e pirunit që të vëreni nëse janë të buta apo jo.

Pasi t’i keni hequr nga furra, lërini patatet të ftohen për 5 deri në 10 minuta.

Prijini sipas gjatësisë me një thikë të mprehtë dhe më pas hapeni në të dyja anët duke përdorur duart.

Në këtë pikë, patatja është gati për mbushje.

Tek kjo e fundit, ju mund të nxirrni në pah fantazinë tuaj dhe ta mbushni atë me erëzat, barishtet dhe produktet më të preferuara të bulmetit.

Kësisoj do të keni krijuar për veten dhe familjen, një vakt të shijshëm e plot fantazi./AgroWeb.org