Marmalatë e Shëndetshme Molle pa sheqer – Si ta Përgatisni në Shtëpi

1.8k 0

Ju pëlqen shija e marmalatës, por nuk doni ta teproni me sheqerin?

AgroWeb.org ju tregon një metodë të thjeshtë përgatitjeje pa patur nevojë për përdorimin e këtij produkti.

Megjithëse kur kujtojmë marmalatën tradicionale, shija e saj e ëmbël për shkak të sheqerit që përmban është ajo që na vjen e para në mendje.

Nëse jeni në dietë apo vuani nga diabeti mos e humbisni këtë artikull që do t’ju tregojë se si të përgatisni marmalatën tuaj të preferuar larg rreziqeve të shëndetit.

Fillimisht AgroWeb.org ju sugjeron që të përzgjidhni fruta të ëmbla dhe të pjekura mirë të cilat nuk kanë nevojë për sheqer të shtuar.

Molla është një nga frutat perfekte për këtë recetë. Ky frut është i pasur me vitamina, dhe rreth 85% e tij janë ujë, vitamina A,B,C dhe E.

Nëse vuani nga diabeti molla është një ndër frutat që rekomandohet më shumë pasi ul nivelin  e glukozës në gjak.

Nëse doni të përgatisni marmalatën me mollë pa sheqer lexoni se si mund ta arrini në vetëm disa hapa.

Përbërësit

3 mollë jeshile (600 g)

Gjysmë limoni i shtrydhur

2 lugë gjelle mjaltë (30 ml)

3 lugë gjelle ujë (45 ml)

Përgatitja

Lani, qëroni dhe prisni mollët në pjesë të vogla, vendosini më pas në një tenxhere në zjarr të mesëm.

AgroWeb.org ju sugjeron që për të shkurtuar kohë mund dhe t’i grini në rende.

Shtoni aty lëngun e limonit dhe ujin e nevojitur në recetë.

Përzjejini për rreth 10 minuta derisa copëzat e mollës të treten.

Do të keni krijuar një masë të njëtrajtshme, të trashë si brumi i krepave.

Dukë trazuar shtoni mjaltin për t’i dhënë më shumë shije.

Duke qenë se mollët kanë një përqindje të lartë pektine, e cila bën të mundur dhe mpiksjen e marmalatës, nuk keni përse të përdorni xhelatinë.

Mjalti është një ëmbëlsues organik i cili i shton vlera marmalatës duke qenë se ndikimi i tij në nivelin e sheqerit në gjak është më pozitiv se ai i sheqerit.

AgroWeb.org ju këshillon që të përzieni me një lugë druri derisa marmalata të arrijë të trashet.

Kur të fillojë të kthejë valë, largojeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni marmalatën të ftohet.

Hidheni në një enë të mbyllur dhe hermetike dhe lëreni të pushojë në frigorifer për një orë dhe më pas mund ta konsumoni./AgroWeb.org