Çomleku i Shijshëm – Receta Speciale e Përgatitjes në Shtëpi

10k 0

Nëse ka një recetë që fiton mbi të gjitha fantazitë e shijes, është ajo e recetës shqiptare të përgatitjes së çomlekut.

Mënyra e gatimit të tij dhe shija e mrekullueshme është me të vërtetë speciale dhe të përfshin tërësisht.

Magjepsëse dhe e plotë në aromë, për këtë pjatë nuk mbeten fjalë ç’të thuash, thjeshtë të lëpish gishtat  dhe t’i dorëzohesh shijes së saj.

Pavarësisht se përgatitja tipike e çomlekut është ajo me mish lepuri të egër, kjo recetë mund të përgatitet me të gjitha llojet e mishrave, viçi, qengji, pule etj.

Më poshtë, AgroWeb.org përcjell një recetë tipike të përgatitjes së një prej gatimeve më speciale që sigurisht mbeten ndër më të pëlqyerat e gjithë trevave shqiptare.

Përgatitja e Çomlekut në Shtëpi

Përbërësit

(Receta më poshtë për 4-5 persona)

Përbërësit

500 gr mish tul viçi (mund të zgjidhni edhe lloj tjetër mishi sipas dëshirës) 

1.5 kg qepujka (në madhësinë e një kokërr arre)

1 kokërr hudhër e plotë

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

4-5 domate të bëra mirë

1 lugë gjelle salcë domatesh

2 filxhanë kafeje uthull molle (nëse dëshironi në vend të uthullës mund të përdorni verë të kuqe)

2 gjethe dafine

Kripë

Pak piper i zi pluhur

Disa kokrra piper të zi

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të marinoni mishin e ndarë në copa.

Hidhni në një tas pak vaj ulliri, piper të zi, dafinë të grimcuar, pak uthull e kripë.

Përziejini mirë të gjitha bashkë dhe me këtë masë marinoni copat e mishit duke i mbyllur në një qese kuzhine, lërini në frigorifer ( jo në ngrirjë) dhe lërini ashtu të paktën 2 orë ose edhe më shumë para se t’i gatuani.

Pasi të keni kryer këtë proces, mishit vendoseni në një tenxhere me vaj ulliri dhe kaurdiseni në zjarr për disa minuta nga të dyja anët.

Qepujkat pastrojini nga lëkura, shpëlajini me lërini kokërr plota.

Pasi të keni kaurdisur mishin, shtoni qepujkat, kaurdisini lehtë derisa volumi tyre të bjerë.

Më pas shtoni salcën e domates, vijoni kaurdisjen dhe shtoni uthullën ose verën e kuqe.

Kaurdisini dhe shtoni domatet e grira si pure përmes një rende kuzhine. Rregullojeni masën me kripë, piper të zi pluhur dhe kokërr, shtoni gjethen e dafinës dhe thelpinjtë e qëruar të hudhrës.

Shtoni ose një gotë e gjysmë me ujë dhe lëreni të ziejë në zjarr të ngadaltë përreth 45-50 minuta derisa mishi të jetë zbutur dhe çomleku të ketë mbetur me pak lëng.

Shënim: Në mënyrë që çomleku të marrë aromën e duhur të erëzave dhe shijen e tij perfekte gjatë zierjes tenxheren mbylleni duke vendosur pak brumë anash kapakut. Kur ta hapni tenxheren, mjafton të thërmoni brumit që keni vendosur kur keni mbyllur tenxheren./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.