Si të Përgatisni Biskota të Shkrifëta me Tre Përbërës

1.8k 0

Rastet kur ju duhet të gatuani një ëmbëlsirë të shijshme e të shpejtë me siguri janë të shumta.

Shija e biskotave të ngrohta, të sapo dala nga furra është gjithnjë e preferuar dhe e dashur për të gjithë.

Sidomos ato të shkrifëtat, të cilat janë edhe më të kërkuarat për të kënaqur nepsin.

Në këtë recetë AgroWeb.org ju tregon një mënyrë fare të lehtë e të shpejtë të përgatitjes së tyre.

Do t’ju duhen vetëm tre përbërës dhe do të përfitoni shijen e mrekullueshme të biskotave të vërteta.

Ndiqni më poshtë hap pas hapi se si të realizoni fare lehtë ëmbëlsirën më të re dhe të lehtë nga AgroWeb.org.

Përbërësit

250 gr miell

220 gr gjalpë pa kripë

100 gr sheqer

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të nisni me përgatitjen e gjalpit, të cilin duhet ta lini të zbutet pak në temperaturë ambienti.

Më pas ndizni furrën paraprakisht në temperaturën 170 gradë dhe vazhdoni me përgatitjen e biskotave.

Në një enë të thellë hidhni gjalpin, sheqerin dhe përzjejini me anë të një rrahësi elektrik.

Trazojini derisa të keni përfituar një masë të trashë dhe kompakte dhe derisa i gjithë sheqeri të jetë shkrirë.

Më pas shtoni pak nga pak edhe miellin, duke bërë kujdes që të mos formohen kokrriza gjatë procesit.

Kur të jetë formuar një masë kompakte brumi hidheni atë në një tavë katrore rreth 22 cm.

Tava duhet të jetë e lyer me pak vaj ose gjalpë në mënyrë që brumi i biskotave të mos ngjitet.

Përhapeni mirë brumin në të gjithë sipërfaqen e tavës duke e shtypur lehtë me duar.

Bëni disa vijëzime sipër brumit me pirun dhe futeni menjëherë në furrë për rreth 30-35 minuta.

Lëreni brumin e biskotave të piqet derisa të ketë marrë ngjyrë të artë dhe më pas nxirreni nga furra.

Teksa brumi është ende i ngrohtë, prisni në katrorë të vegjël biskotat tuaja dhe lërini të ftohen në temperaturë ambienti.

Sipas dëshirës mund t’i sperkatni me pak sheqer pluhur sipër./AgroWeb.org