Supë Brokoli me Presh – Vlera dhe Shije Fantastike në një Pjatë

2.3k 0

E lehtë dhe shumë e shëndetshme, supa me brokoli dhe presh është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë.

Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin dhe preshin ndër perimet e gjelbra më të shëndetshme.

E kombinuar në një recetë supe me presh dhe e gatuar me disa përbërës të tjerë po aq të shëndetshëm siç është vaji i ullirit apo edhe patatet e karrotat, kjo pjatë është e mbushur plot me vlera shëndetësore krahas shijes së lehtë të saj.

Ndiqni më poshtë recetën e AgroWeb.org për supën me brokoli, për ta përgatitur atë krej lehtë në shtëpi.

Si Ta Përgatisni Në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4 – 5 persona)

400 gr brokoli

4 lugë gjelle vaj ulliri

1-2 presh mesatarë (përdorni vetëm pjesën e bardhë)

1 karrotë

1-2 patate mesatare

1 l lëng i nxehtë pule ose perimesh

Kripë

Majdanoz

Piper

Përgatitja

Si fillim, pastrojmë të gjitha perimet me ujë të rrjedhshëm.

Preshim e grijmë hollë, patatet dhe karrotat i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël ndërsa ndajmë brokolin në degëza të vogla.

Në një tenxhere hedhim një lugë gjelle vaj ulliri e vendosim në zjarr dhe më pas shtojmë preshin e grirë hollë, e kaurdisim për 2-3 minuta derisa volumi të ulet pak.

Më pas shtojmë karrotat dhe patatet e prerë në kubikë, vijojmë t’i kaurdisim për pak.

Shtojmë lëngun e nxehtë të pulës ose perimeve dhe i lëmë të zjejnë bashkë përreth 30 minuta.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat e brokolit, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shtoni degëzat e brokolit 10 minutat e fundit që të ziejnë bashkë me përbërësit e tjerë të supës.

I heqim nga zjarri dhe sipas preferencës mund t’i fusni në mikser derisa të jetë përftuar një masë kremoze e supës.

Supën e rregullojmë me kripë dhe piper.

E hedhim në tasat e servirjes së supës, i spërkasim me vajin e ullirit dhe majdanoz të grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë dhe me bukë të thekur shoqëruar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.