Supë Kremoze Me Brokoli – Si ta Gatuani me Vlera

872 0

Më të mirat e stinës, të pasura me vlera ushqyese, të shijshme e të sjella në një pjatë të ngrohtë, është ajo çka ju duhet për një organizëm të fuqishëm dhe të shëndetshëm gjatë ditëve të ftohta.

Kjo supë është një zgjedhje fantastike për të jetuar shëndetshëm dhe për përjetuar ndjesinë e mirëqenies e cila sigurisht, ashtu si lumturia, së pari vjen nga stomaku.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me përgatitjen e kësaj recete të mrekullueshme.

Përbërësit

35gr gjalpë pa kripë

1 qepë mesatare të verdhë, e prerë në kubikë të vegjël

35gr miell

4 gota lëng pule

1 kile brokoli

35 gr pana

Kripë dhe piper për shije

Përgatitja

Në një tenxhere të mesme shkrini gjalpin dhe kuardisni qepën e prerë hollë, duke e përzier herë pas here, derisa të zbutet. Shtoni më pas miellin duke e trazuar për 1 minutë.

Përziejeni vazhdimisht, shtoni lëngun e mishit dhe 1 filxhan ujë dhe lëreni të ziejë në temperaturë të lartë.

Ulni nxehtësinë dhe lëreni të ziejë, duke e trazuar herë pas here, për 10 minuta.

Pas kësaj hidhni edhe brokolin dhe lëreni të ziejë për rreth 20 minuta.

Transferoni përzierjen në një tas të madh. Kaloni msaën në një mikser (aq sa mikseri ka mundësi të mbajë) dhe përpunojeni derisa të përftoni një masë kremoze dhe të një trajtshme.

Kthejeni supën në tenxhere dhe shtoni panën. Ngroheni në mesatare dhe shtoni kripë e piper për shije.

Hollojeni me lëng mishi ose ujë, sipas dëshirës. /AgroWeb.org