Supë Pule me Miell Misri – Traditë, Shije, Shëndet

2.5k 0

Supa e pulës me miell misri është gatuar për breza me rradhë nga amvisat shqiptare, jo vetëm për shijen e mrekullueshme që ka por edhe për vlerat kundër virozave.

Një pjatë e lehtë, e pasur me vlera ushqyese dhe plot shije që shoqërohet në mënyrë fantastike me pak bukë të thekur dhe me sallata të freskëta të stinës.

Ideale për t’u përgatitur për një vakt të plotë dreke shoqëruar me gatime të tjera të kuzhinës shqiptare.

AgroWeb.org ju sjell këtë recetë si pjesë e menusë së shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare, e cila gatuhet në të gjitha trevat e vendit.

Përbërësit e saj janë të thjeshtë dhe gjenden me patjetër në kuzhinën e çdo amvise shqiptare.

Agroweb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së supës me pulë miell misri krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Supës me Pulë dhe Miell Misri

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

Një pulë mesatare e ndarë në copa

2 – 3 lugë miell misri

2 lugë vaj ulliri

1 lugë gjelle me gjalpë të freskët

2 thelpinj hudhre

1 lugë kafeje me spec të kuq pluhur (jo djegës)

Kripë

Piper

Majdanoz

Përgatitja  

Pastrojmë pulën me ujë të rrjedhshëm dhe e ndajmë në copa.

Vendosim një tenxhere në zjarr, shtojmë vajin e ullirit dhe copat e pulës. I kaurdisim për pak nga të dyja anët.

Hedhim kripë dhe ujë derisa të gjitha copat e pulës të mbulohen tërësisht.

E lëmë derisa të ziejë për 35 – 40 minuta duke u kujdesur që të mos i shterojë uji sepse duhet për lëngun e supës.

Në momentin që mishi i pulës është zierë, vendosim një tigan në zjarr, shtojmë gjalpin e freskët dhe miellin e misrit.

E kaurdisim derisa të marrë ngjyrë të artë më pas e heqim nga zjarri, shtojmë pak lëng nga lëngu i pulës, dy thlepinjtë e hudhrës të shtypur dhe specin e kuq pluhur.

AgroWeb.org ju sugjeron që masën ta përzieni mirë dhe me kujdes përmes një luge druri që të mos mbeten kokërriza. Më pas, masën e miellit të misrit shtojeni tek tenxherja ku është mishi i pulës dhe lëngu i saj.

Vendoseni tenxheren sërish në zjarr dhe përziejeni supën derisa lëngu të trashet.

Lëreni në zjarr edhe për 8-10 minuta duke e përzierë vazhdimisht dhe më pas largojeni nga zjarri.

Kjo supë shërbehet e ngrohtë dhe sipër sipas dëshirës i hidhet pak piper i zi dhe majdanoz i grirë shumë hollë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.