Shtatzënia është një periudhë emocionuese sepse së shpejti do të bëheni prind i një fëmije të adhurueshëm.

Gjatë shtatëzanisë ju mund të përjetoni një mori emocionesh ose ato mund t’ju kapin në befasi.

Disa gra ndiejnë gëzim në çdo rrahje apo goditje, duke u mrekulluar me trupin e tyre që ndryshon.

Për të tjera, shtatzënia është e vështirë, pasi sjell lodhje të madhe, ndryshime humori dhe shqetësime të vazhdueshme.

Ju mund të vini re se në çdo muaj që kalon, mendimet mund të dalin jashtë kontrollit, duke ndikuar në performancën tuaj në punë dhe në marrëdhëniet personale.

AgroWeb.org ju njeh në këtë artikull me disa nga shkaktarët e zakonshëm të ankthit dhe trajtimet që mund t’ju ndihmojnë ta mbani nën kontroll.

Çfarë e shkakton ankthin gjatë shtatzënisë?

Ndryshimet hormonale, abortet spontane të mëparshme dhe vështirësia për të fjetur mund të jenë disa nga shkaktarët e ankthit tek nënat e ardhshme.

Ju mund të shqetësoheni se si një fëmijë do të ndikojë në marrëdhëniet tuaja me miqtë ose anëtarët e familjes, shëndetin e fëmijës suaj të ardhshëm, përvojën e lindjes ose barrën financiare të një anëtari shtesë në familje.

Por të gjitha këto shqetësime janë krejtësisht normale.

Cilat janë simptomat e çrregullimeve të ankthit gjatë shtatzënisë?

Edhe pse është normale të shqetësoheni për shëndetin e foshnjës tuaj, në disa raste ky shqetësim bëhet i rrezikshëm dhe mund të kërkojë vëmendje të mëtejshme.

Mendimet për shëndetin e foshnjës mund të bëhen obsesive edhe nëse nuk keni asnjë arsyre konkrete për t’u shqetësuar.

Shqetësimet mund të shfaqen edhe si shqetësime fizike, të tilla si rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje ose sulme paniku.

Dhe nëse kjo është hera e parë që përjetoni një nivel të lartë ankthi, kjo mund të jetë vërtetë e frikshme.

Kur ankthi fillon të ndërhyjë në përditshmërinë tuaj, në marrëdhëniet ose performancën në punë, ai mund të klasifikohet si një çrregullim ankthi.

Ai mund të shfaqet në çdo kohë gjatë shtatzënisë, ose të shfaqet për herë të parë pas lindjes.

Megjithatë çrregullimet e ankthit duket të jenë më të larta në tremujorin e parë dhe kjo për shkak të ndryshimeve hormonale.

Cilat janë disa trajtime për ankthin gjatë shtatzënisë?

Edhe pse më pak i studiuar se depresioni, hulumtimet sugjerojnë se ankthi mund të ndikojë negativisht si tek nëna ashtu edhe tek fetusi.

Për fat të mirë, ka shumë trajtime që mund të zvogëlojnë ankthin gjatë shtatzënisë dhe t’ju ndihmojnë të ndiheni më mirë.

Megjithatë për shumë gra, mjekimi nuk është një opsion gjatë shtatzënisë, pasi ka pak informacion mbi sigurinë e një ilaçi të tillë ndaj fetusit.

Por kjo çështje mbetet për t’u diskutuar me mjekun tuaj.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë disa mënyra të thjeshta dhe të sigurta që mund t’ju vijnë në ndihmë gjatë shtatzanisë.

Kryeni aktivitet fizik të rregullt

Në përgjithësi është e sigurt të kryeni aktivitet fizik gjatë shtatzënisë.

Por nëse jeni në rrezik për lindje të parakohshme ose keni komplikime gjatë shtatzënisë, konsultohuni fillimisht me mjekun tuaj.

Flini mjaftueshëm

Gjumi është një nga elementët kryesorë për reduktimin e stresit në jetën tuaj dhe rrjedhimisht është shumë i rëndësishëm gjatë shtatzanisë.

Mbani një ditar

Të shkruash shqetësimet tuaja mund t’ju ndihmojë të gjeni zgjidhje të mundshme dhe ju lejon të reflektoni mbi shqetësimet tuaja.

Yoga, masazh, meditim dhe akupunkturë

Gjetja e teknikave të relaksimit që funksionojnë për ju mund të kërkojë disa eksperimentime, por përfitimet e tyre do të vazhdojnë edhe pasi të fëmija të lindë./AgroWeb.org